E Diel, 1 Nëntor 2026

Biberaj: Trimëria pas lufte dhe e folura pas Kuvendit nuk kanë vlerë. FRD hap sot degën në Elbasan

Share

Një nga drejtuesit e grupit nismëtar të Frymës së Re Demokratike, Aleksandër Biberaj, thotë për GSH se ata kanë marrë mesazhe inkurajimi nga deputetët e PD, lidhur me bashkëpunimin me FRD. Biberaj tha se ata kanë bisedime në nivel parimor edhe me Mark Markun dhe Selami Xhepën, për të cilët ai rezervon një vlerësim të veçantë. Biberaj thotë se sa më shpejt të shkëputen demokratët e ndershëm nga PD, aq më mirë.

Siç kemi deklaruar që nga 30 prilli, FRD është dhe mbetet parti e hapur për të gjithë ata demokratë të ndershëm, qytetarë dhe patriotë, pavarësisht nëse janë deputetë apo anëtarë të thjeshtë të PD-së, që marrin guximin dhe shkëputen nga klika në pushtet duke mos i shërbyer më asaj. Se kur shkëputen e dinë ata, pasi kjo është dhe mbetet vendimmarrje personale, por do të thoja se sa më shpejt aq më mirë edhe për ata vetë, edhe për Shqipërinë dhe shqiptarët, pasi vjen një moment që nuk do të ketë më vlerë. Për një politikan do të thoja se është shumë i rëndësishëm momenti dhe faktori kohë, pasi politikani bëhet edhe pa dashje bashkëfajtor dhe merr kosto politike dhe morale për gjithë jetën, duke mbështetur një regjim antipopullor dhe antikombëtar, pavarësisht presionit, shantazhit, kërcënimeve apo interesave. Arritën ta kuptojnë edhe ish-bashkëpunëtorët e Asadit, dhe po e braktisin çdo ditë. Trimëria pas lufte dhe e folura pas kuvendit, nuk kanë asnjë vlerë, tha Biberaj.

Ndërkohë sot, ora 18.30 Fryma e Re Demokratike do të zhvillojë, në teatrin Skampa të Elbasanit aktivitetin për hapjen zyrtare të degës së saj në këtë qytet.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›