Berisha: Ftoj Ramën në festë
ADI SHKEMBI
Kryeministri Sali Berisha fton sërish opozitën për të bashkëpunuar në Parlament. Kreu i ekzekutivit përsëriti thirrjen drejtuar PS-së, dy ditë pas vendimit të Këshillit të BE-së, për të lejuar Komisionin të përgatisë mendimin për marrjen e statusit të vendit kandidat nga Shqipëria. Nga ana tjetër kreu i PS-së, Edi Rama tha se opozita do të vazhdojë protestat deri në hapjen e kutive, dhe protesta e radhës do të jetë ajo e 20 nëntorit në Tiranë.
Berisha
Kryeministri ironizoi dje në mbledhjen e qeverisë turin e kreut të PS-së, Edi Rama, për të mbledhur qytetarët për mitingun e së premtes. “Edhe një herë, gjej rastin të ftoj opozitën për bashkëpunim, t’i lërë praktikat, të cilat i ka gjetur vetë si pemë pa kokrra. Po më rikujton mitingun e datës 4 prill. Kur vendi anëtarësohej në NATO, bëhej miting proteste. Tani, në vend që të festojë, siç unë e ftova që të dalim së bashku, ta përshëndesim këtë akt, shpërndan trakte tek Komuna e Parisit. Ky nuk është roli që duhet të luash në shoqëri. Komuna e Parisit është arkivuar në histori me Gavrosh dhe San Kylo e të tjerë. Tani është periudha e idealeve evropiane dhe nuk ka ideale më të dëshiruara për çdo qytetar shqiptar”, u shpreh Kryeministri. Sipas tij “nuk mund të nxish në festë. Dhe kjo është festë. Si ky vendim, po ashtu edhe mesazhi i qartë për liberalizimin e vizave që u dha dje në mbledhjen e ministrave të Brendshëm dhe nga Zëvendëspresidenti i Komisionit Evropian Barrot”.
Rama
Protesta e 20 nëntorit ka detyruar Edi Ramën në një praktikë të njohur tashmë, atë të shpërndarjes së ftesës qytetarëve nëpër lagjet e Tiranës. Rama ishte dje në rrugën “Komuna e Parisit”, ku ka shpërndarë për qytetarët ftesat për mitingun që do të zhvillojë opozita me sloganin “Dua të shoh votën time”. Kreu i opozitës kërkoi sensibilizimin e qytetarëve në të gjithë Shqipërinë. “Të gjithë ata që duan të jetojnë të lirë, të gjithë ata që duan të kenë të drejta të barabarta me pinjollët e familjes në pushtet dhe me kryefamiljarin që e ka kthyer qeverinë e Shqipërisë dhe shqiptarëve në një mjet për të pasuruar familjen e tij. Të gjithë biznesmenët e vegjël që nuk duan të falimentojnë në janar, për shkak të kalimit arbitrar të tyre si biznes i madh nën regjimin e disa taksave të papërballueshme. Të gjithë të papunët, të gjithë mësuesit, të gjithë mjekët, të gjithë ata që trajtohen si qytetarë të dorës së dytë në këtë vend, të gjithë ushtarakët që nuk gjejnë të drejtën që u ka dhënë ligji, të gjithë shqiptarët që në datën 20 nëntor pasdite në sheshin “Skënderbej” kanë të gjitha arsyet, të drejtën e zotit e të ligjit për t’i rezistuar këtij pushteti të korruptuar” theksoi Rama. Duke ju referuar deklaratave të Kryeministrit Berisha, kreu i selisë rozë e ka cilësuar të turpshëm qëndrimin e tij për mohimin e kontributit të socialistëve në procesin e anëtarësimit në NATO.