Vasili: Rama i përgjigjet me mllef dhe baltë ftesave të maxhorancës
Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së Petrit Vasili akuzoi dje kryetarin socialist se po e fut PS-në në një kurs të rrezikshëm politik. Në një konferencë për shtyp, Vasili e ftoi Ramën të mirëpresë dhe mirëkuptojë ftesat që i vijnë nga maxhoranca për bashkëpunim për integrimin e vendit, si detyrim ndaj elektoratit dhe jo të reagojë me mllef. “Thirrjeve konstruktive dhe dashamirëse të maxhorancës për të kontribuar në këtë aksion historik, ai i përgjigjet me mllef dhe baltë. Po si mundet që Edi Rama akuzon për vonesë në Integrim?! Është e vërtetë që Integrimi i Shqipërisë duhet të ishte më i shpejtë dhe të gjithë kanë përgjegjësi për këto vonesa, por Edi Rama është njeriu i vetëm që nuk mund të flasë për vonesa, pasi për 10 vjet në Tiranë, mezi arriti të përgatisë një gjysmë plan rregullimi, por dhe ai në funksion të interesave të ngushta klienteliste, ndërkohë që duhet ta bënte atë që në mandatin e parë, dhe ky është rekordi shqiptar vonesave”, tha Vasili. Sipas tij: “Sot ka vetëm një provë përballë çdo politikani dhe partie politike: Ose kontribut të pakursyer pa komplekse me përkushtim që shqiptarët të jenë qytetarë të Evropës e të lëvizin lirshëm në kontinentin ku jetojnë për mijëra vjet, ose në rrugë kundër shqiptarëve dhe kundër mundësive të tyre për një jetë më të mirë në funksion vetëm të kuletës dhe karrierës personale të një kryetari”.
PS: Vasili të zgjidhë pagesat në spitale
Menjëherë pas deklaratës së sekretarit të LSI-së, selia rozë është përgjigjur me anë të zëdhënëses e saj, Armela Imeraj. “Zoti Vasili kur guxon të dalë në publik bën mirë të japë llogari pse i detyron shqiptarët hallexhinj të paguajnë 10 mijë lekë për çdo vizitë në spital dhe pse njerëzit nuk blejnë dot as ilaçet më jetike për shëndetin e tyre? Sa për zëdhënien e Berishës kundër opozitës le t’ia lërë Metës që e ka pjesë të kontratës së martesës, ku zoti Vasili është thjesht një krushk nga ata që venë në dasma vetëm për të ngrënë”, u shpreh zëdhënësja e PS-së.