E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Ftoj opozitën të bëjmë reformat

Mashtrimi i kryeministrit: OSBE tha se votat u numëruan mirë. OSBE: Në 1/3 e qendrave u numërua keq ose shumë keq


TIRANË - Me gjithë insistimin e opozitës për transparencën e zgjedhjeve të kaluara dhe thirrjes së faktorit ndërkombëtar për zgjidhjen e krizës politike, kryeministri Sali Berisha vazhdon që t'i cilësojë ato si zgjedhjet më të mira që Shqipëria ka zhvilluar ndonjëherë në historinë e pluralizmit të saj politik.


Një vit pas zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit të vitit 2009, kreu i qeverisë tha se këto zgjedhje përmbushën kërkesat e OSBE-ODIHR-it, ku, sipas tij, nuk pati prova për manipulim të rezultatit apo numërim të parregullt. Por, ndryshe nga ajo që tha dje kryeministri, në raportin e tij përfundimtar për zgjedhjet, OSBE-ODIHR evidentonte qartë se në 1/3 e qendrave të numërimit, procesi i numërimit është kryer keq ose shumë keq.


"Më 28 qershor të vitit 2009, në këtë vend, ku zgjedhjet ishin shndërruar në një problem kombëtar dhe ndërkombëtar, vend për të cilin institucionet ndërkombëtare kishin miratuar rezoluta, nga më të veçantat në historinë e veprimtarisë së tyre, u deklarua se zgjedhjet plotësuan zotime kryesore të OSBE/ODIHR-it, në zgjedhje nuk pati asnjë provë për manipulim rezultatesh, apo numërim të parregullt", - theksoi dje Berisha gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Demokratike.


Vendimet që janë marrë deri më tani nga institucionet e Bashkimit Europian ndaj procesit të liberalizimit të vizave me Shqipërinë dhe procesit integrues të saj, Berisha ia atribuoi gjithçka ecurisë së zgjedhjeve të kaluara, që, sipas tij, ato ishin përcaktuese në rrugën e vendit drejt BE-së.


"Pa karakterin e këtyre zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, pa dëshminë se nuk pati asnjë përpjekje për manipulim të rezultateve të arbitrit ndërkombëtar, pa dëshminë e arbitrave ndërkombëtarë, nuk pati asnjë provë për numërim të parregullt.


Unë ju garantoj ju se asnjëra nga vendimet e marra deri më sot, nuk do të merrej për Shqipërinë", - u shpreh ai, ndërsa specifikoi se ato ishin edhe të kushtueshme për shkak të aplikimit të teknologjisë gjatë të gjithë procesit zgjedhor.


Berisha falënderoi edhe komisionerët e të gjithë spektrit politik në vend, për administrimin e zgjedhjeve të 28 qershorit, ndonëse opozita i ka akuzuar ata si autorët kryesorë të deformimit të procesit zgjedhor.


Ndërkaq, pa dhënë asnjë garanci ndaj kërkesave të opozitës për transparencën e zgjedhjeve të kaluara, Berisha e ka ftuar spektrin opozitar që të paraqesë amendamentet sipas rekomandimeve të OSBE-ODIHR-it, për ndryshime në sistemin aktual zgjedhor.


Ai ka kërkuar nga opozita edhe votën e saj për ligjet që kërkojnë një shumicë të cilësuar prej 3/5, duke përfshirë këtu ligjin për Gjykatën Administrative dhe heqjen e imunitetit të zyrtarëve. "Shfrytëzoj rastin të ftoj opozitën, në interesin e saj më të mirë dhe të vendit, të ushtrojë të gjithë funksionet dhe rolin që i përket.


E garantoj atë se mbetem i vendosur që bashkërisht të shtrojmë në ligj dhe vendime të gjitha rekomandimet e OSBE/ODIHR. Kur them bashkërisht, nuk tërhiqem nga zotimi që opozita të ketë të drejtën ekskluzive të amendamenteve dhe kjo mazhorancë t'i votojë ato, natyrisht pasi të ketë marrë një opinion nga Komisioni i Venecias ose nga OSBE/ODIHR-i", - nënvizoi Berisha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›