E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mazhoranca kalon "me forcë" ligjin e ri për faljet

Debate të ashpra në komision, socialistët kundër heqjes së kompetencave të presidentit. Tani falja nga ministri i Drejtësisë


TIRANË - Të djathtët miratuan dje, mes debatesh të shumta në komision, ligjin e ri për faljen e të dënuarve. Ligji u kundërshtua fuqimisht nga opozita, pasi i merr Presidentit kompetencat që i ka dhënë Kushtetuta dhe ia jep qeverisë.


Diskutimet e deputetëve u fokusuan në nenet 5 dhe 7 të këtij projektligji, që lidhen me kriteret ndaluese për faljen e dënimit, si edhe destinacionin e paraqitjes se kërkesës për falje.


Projektligji i ri parashikon që në procesin e dhënies së faljes të përfshihet si aktor edhe Ministria e Drejtësisë. Ndërkohë, socialistët po përgatiten për të dërguar projektligjin e ri në Gjykatën Kushtetuese, por që do të marrë kohë deri sa të bëhet shqyrtimi i plotë.


Shkaku i ndarjes së dy palëve në miratimin e këtij ligji ishte neni 10, ku thuhej se presidenti ushtron të drejtën e faljes me propozim të ministrit të Drejtësisë. Për opozitën, neni 10 cenon kompetencën e Presidentit dhe bie ndesh me Kushtetutën. Deputeti socialist në Komisionin e Ligjeve, Sajmir Tahiri, akuzoi deputetët e mazhorancës se po tentojnë ta kthejnë në një kompetencë politike.


"Unë mendoj në lidhje me nenin 10-të dhe nenet që kaluam, se ju doni të transferoni kompetencën e Presidentit të Republikës për të dekretuar faljet dhe ta ktheni këtë në një kompetencë politike të ministrit. Ky është abuzim antikushtetues", - u shpreh deputeti Tahiri.


Sipas socialistëve, vetëm Presidenti ka të drejtën e dhënies së faljes personave të dënuar. "Neni 10 pika 1 i jep ministrit kompetenca substanciale. Kjo është e patolerueshme se është kundër nenit 92 të Kushtetutës.


Nëse do ta miratoni këtë ligj me dhunën e kartonëve bëjeni, por në këtë rast ne nuk mund të jemi dakord. Po na diktoni të jemi kundër, sepse është Presidenti ai që ka të drejtën themelore për të vendosur për falje.


Ministri qenka posta, mendja dhe stilolapsi i Presidentit. Kjo është e patolerueshme", - vijoi më tej deputeti socialist, Tahiri.


Deklaratat e anëtarëve të majtë të komisionit hasën në kundërshtimin e demokratëve që, sipas tyre, Kushtetuta thotë se Presidenti e ushtron të drejtën e faljes sipas ligjit. "Ka një rregull jo në Shqipëri.


Gjërat janë antikushtetuese vetëm kur gjykata kompetente e thotë këtë gjë. Kjo që thatë ka vetëm dy shpjegime, ose shpjegimi i parë që ju jeni mbledhur në dhomë këshillimi me Gjykatën Kushtetuese dhe po na thoni mendimin ose ju e dini se po shkoi në gjykatë do mblidhni gjykatën në dhomë këshillimi dhe do t'i thoni. Asnjëra nuk është ligjore, - u shpreh kreu i Komisionit të Ligjeve, Ilir Rusmali.


Ndërsa deputetja Vasilika Hysi kërkoi që neni 10 të ishte një riprodhim i nenit 92 të Kushtetutës që i jep vetëm Presidentit të drejtën e faljes. Neni 10 mori vetëm votat e demokratëve dha 5 vota kundër të socialistëve.


Një tjetër pikë që ndezi debat në Komisionin e Ligjeve ishte edhe kategoria e personave, të cilët përfitojnë nga falja e Presidentit. Socialistët kërkuan që të zvogëlohej kategoria e personave, të cilët përfitojnë falje. Sipas tyre, duhet më shumë transparencë për procesin e dhënies së faljes së personave të dënuar, pasi ka pasur raste kur janë dhënë leje për një numër të madh trafikantësh droge.


Deputetit Sajmir Tahiri kërkoi që me anë të ligjit të parashikohen ato mekanizma që do t'i jepnin fund korrupsionit politik dhe financiar të faljes. "Duhet të bëjmë një ligj që të ndalojmë përfitimin e faljes nga kriminelët.


Për disa persona duhet të vendosim kufij që për aq sa është e mundur të bëjmë edhe politikën penale dhe, së dyti, të parashikojmë ato mekanizma që të pengojnë korrupsion politik dhe financiar të faljes. Vitin e kaluar është falur një person në ditë, në një kohë kur nuk dënohet një person në ditë në Shqipëri. Në listën e konsumuar ka pasur persona që kanë bërë vepra të rënda.


Ne duhet të bëjmë një ligj që nga njëra anë ndalon këta persona dhe nga ana tjetër të ndalojë pazaret politike", - tha Tahiri. Menjëherë ka kundërshtuar deputeti Dashamir Sula, i cili tha se akuzat e së deputetëve të majtë janë mungesë morali dhe profesionalizmi. "Të akuzosh Presidentin e Republikës se ka përfituar shuma nga kjo falje është tepër e rëndë.


Nëse keni edhe një dosje, qoftë edhe një provë, atëherë kjo përbën një akuzë të hapur dhe kushdo qoftë duhet të vihet para ligjit, - tha deputeti Sula. Edhe neni 5 i ligjit për falje kaloi vetëm me votat e mazhorancës. Projektligji u miratua në tërësi dhe kaloi për votim në seancë plenare.

DEBATET

Rusmali


Për nenin 10


Tahiri


Më lër të mbaroj

Rusmali


Nuk të lë të mbarosh dhe të heq dhe të drejtën
e fjalës. Fol për amendamentin.


Tahiri


Po flas për nenin 10

Rusmali


Nëse nuk shpjegon amendamentin të heq të
drejtën e fjalës.


Tahiri


Nuk mund të diktoni argumentin që unë përdor.


Rusmali


Unë zbatoj rendin e ditës, kjo është detyra e kryetarit, unë nuk jam këtu për të ngrohur vezët. Nuk je në pazar.


Tahiri


Rreth amendamentit po flas, unë mendoj në lidhje me nenin 10-të dhe nenet që kaluam, se ju doni të transferoni kompetencën e Presidentit të Republikës për të dekretuar faljet dhe ta ktheni këtë në një kompetencë politike të ministrit. Ky është abuzim antikushtetues.


Strazimiri


Fol për amendimet. 20 veta nuk të dëgjojnë ty.

Tahiri


Ik vazhdo bëj punën atëherë.


Stazimiri


Diskuto amendimet, jo të bëni deklarata politike.


Tahiri

Neni 10 pika 1 i jep ministrit kompetenca substanciale. Kjo është e patolerueshme se shkel nenin 92 të Kushtetutës. Nëse do ta miratoni këtë ligj me dhunën e kartonëve bëjeni, por në këtë rast ne nuk mund të jemi dakord. Po na diktoni të jemi kundër...


Rusmali


"Ka një rregull, jo në Shqipëri. Gjërat janë antikushtetuese vetëm kur gjykata që ka kompetencën ta thotë këtë. Kjo që thatë ka vetëm dy shpjegime, ose shpjegimi i parë që ju jeni mbledhur në dhomë këshillimi me Gjykatën Kushtetuese dhe po na thoni mendimin, ose ju e dini se po shkoi në gjykatë do mblidhni gjykatën në dhomë këshillimi dhe do t'i thoni: Asnjëra nuk është ligjore".

PS: Berisha po e çon vendin në kthetrat e autoritarizmit


Partia Socialiste akuzon kryeministrin Berisha se megjithëse ka kaluar një vit nga procesi zgjedhor, ende nuk është bërë transparenca e plotë e këtyre zgjedhjeve dhe se vendi ndodhet në krizë.


Socialistët i bënë thirrje qeverisë dhe kryeministrit Berisha që të pranojë dialogun. Për opozitën, transparenca e zgjedhjeve do të ishte axhenda e përbashkët europiane për të gjitha forcat politike dhe për të gjithë shqiptarët. Sipas deputetit të PS, Namik Dokle, sjellja e qeverisë po e çon vendin në kthetrat e autoritarizmit.


"Qëndrimi i mbrapshtë ndaj votës së lirë; shurdhëria destabilizuese e qeverisë për të mos i hapur rrugë zgjidhjes së krizës; deklaratat qesharake të mohimit të realiteteve dhe problemeve që përjetojnë shqiptarët, po e çojnë demokracinë në kthetrat e autoritarizmit, ekonominë në falimentim, institucionet e së drejtës nën litarin e qeverisë dhe Parlamentin në ngërç permanent", - deklaroi deputeti Dokle.


Socialistët akuzuan kreun e qeverisë se nuk dëgjon thirrjet e ndërkombëtarëve për zgjidhjen e krizës.Rezoluta europiane bën thirrje që të përmbushen kriteret e Kopenhagenit, pa të cilat nuk ka integrim, mazhoranca e trajton demokracinë si një tavolinë kompekai, në të cilën korrupsioni po gërryen shtetin dhe çdo familje shqiptare që paguan dëmet katastrofike të familjes qeveritare", vijoi ai. PS shprehu angazhimin se do të jetë e gatshme për të dhënë kontributin e saj, duke mos u tërhequr nga kauza e saj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›