E Shtunë, 31 Tetor 2026

Klosi: Të rishohim marrëdhëniet me Parlamentin

Kriza politike, Partia Socialiste përgatitet për rifillimin e protestave dhe mundësinë për të bojkotuar Parlamentin


TIRANË - Pas dështimit të kompromisit politik, Partia Socialiste mund t'u rikthehet protestave, por edhe bojkotit të parlamentit. Sekretari organizativ i Partisë Socialiste dhe një nga ish-deputetët grevistë, Blendi Klosi, deklaroi dje se vendi i PS është në protestë dhe se kjo forcë politike duhet të rishohë raportin e saj me Parlamentin.


"Duhet të rishikojmë edhe një herë raportin me Sali Berishën dhe Parlamentin. Do të duhet të mendojmë raportin me elektoratin që na mbështet dhe që na erdhi kaq shumë pas nesh. Mendoj se Partia Socialiste e ka vendin në protestë karshi kësaj qeverie në detyrën e fortë të saj opozitare", u shpreh deputeti Klosi.


Sekretari Organizativ zbuloi edhe disa nga veprimet konkrete që janë marrë këto ditë. Ai u shpreh se ka nisur kontaktet edhe me kolegët e tjerë deputetë, në mënyrë që ideja për të riparë raportin me Parlamentin të përçohet edhe grupin e Partisë Socialiste.


Sipas tij, PS duhet të jetë e fokusuar te kërkesa e saj kryesore që është edhe misioni i opozitës, ai i transparencës së zgjedhjeve të 28 qershorit, pasi misioni është lënë në mes të rrugës. Deputeti Klosi bëri thirrje për më shumë vëmendje të strukturave të PS përballë raportit për transparencën e zgjedhjeve, pasi kjo është edhe një kërkesë e bazës socialiste.


Sekretari Organizativ kërkoi nga forumet e PS-së që të vazhdojnë të jenë më të angazhuara në kërkesat e tyre për transparencë në një raport shumë më të kushtëzuar me Parlamentin. "Historia me pagat, historia e vendimmarrjes, historia e mosngritjes së komisionit hetimor jane veprime që tregojnë se PS duhet të ketë një përqasje tjetër me qeverisjen.


Duhet t'i dëshmojmë partnerëve se PS ndërpreu grevën sepse mendoi se partnerët do të kuptonin se në Shqipëri ka nevojë për disa standarte evropiane që për fat të keq nuk ndodhi",- theksoi deputeti Blendi Klosi.


Duke sqaruar edhe njëherë kërkesën e socialistëve se nuk kërkojnë ndryshimin në tavolinë të rezultatit të zgjedhjeve, deputeti Klosi tha se arsyeja që PS kërkon hapjen e kutive të votimit është thjesht transparenca e zgjedhjeve.


Lidhur me këtë kërkesë, Sekretari Organizativ i PS tha se nuk ka dalë askush nga ndërkombëtarët që të thotë që kërkesa për transparencë nuk është e drejtë. Klosi u shpreh se greva nuk duhet cilësuar e dështuar, pasi ajo ia arriti qëllimit. "Greva arriti që t'i thotë ndërkombëtarëve se ka një problem. Europa nuk ngrihet mbi liderë hileqarë, por mbi transparencën dhe konsensusin", - theksoi Klosi.


Lidhur me akuzat se PS nuk ka mbledhur për një kohë të gjatë strukturat e saj drejtuese, Sekretari Organizativ u shpreh se Partia Socialiste është e vetmja forcë politike në Shqipëri ku funksionojnë të gjitha strukturat, ndryshe nga PD, e cila drejtohet vetëm nga Kryeministri Berisha.


Miratohet pas 6 vitesh protokolli shtesë i marrëveshjes mes Shqipërisë dhe ANEA-s. Shkak, moskrijimi i Agjencisë Bërthamore


Miratohet protokolli bërthamor, 6 vjet me vonesë

TIRANË - Komisioni Parlamentar për politikën e Jashtme ratifikoi dje pas gjashtë vitesh, protokollin shtesë, të miratuar që në vitin 2004 të marrëveshjes mes Shqipërisë dhe Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (ANEA).


Deputetët e opozitës të pranishëm në komision theksuan se përgjatë këtyre gjashtë viteve është humbur shumë kohë dhe për më tepër është bërë një propagandë me këtë marrëveshje, ndërkohë që nuk është miratuar protokolli shtesë i saj. Deputeti socialist Namik Dokle kërkoi nga përfaqësuesi i ministrisë së Jashtme shpjegime se përse është vonuar kaq gjatë miratimi i këtij protokolli.


Nga ana e tij, përfaqësuesi i ministrisë së Jashtme, Dashnor Ibra, u justifikua me faktin se kjo vonesë 6-vjeçare ka të bëjë me mungesën e Agjencisë Kombëtare të Energjisë Bërthamore, e cila u krijua këtë vit nga me nismën e qeverisë shqiptare, përfshirë këtu edhe qëllimin për ndërtimin në Shqipëri të një centrali bërthamor. "Me vendimin e Këshillit të Ministrave të është ngritur tashmë krijimi i kësaj agjencia kombëtare bërthamore dhe kjo i hap rrugën ratifikimit.


Është vonuar ratifikimi për shkak se në protokollin shtesë janë pranuar disa dispozita ku ne duhet të raportojmë çdo vit tek qendra dhe për raportimin e saj duhet një lloj organizimi i brendshëm siç e kanë bërë edhe shtete të tjera. Edhe për Shqipërinë ishte obliguese krijimin i kësaj agjencie kombëtare bërthamore", - u shpreh përfaqësuesi i ministrisë së Jashtme.


Me miratimin e këtij protokolli shtesë, qeveria shqiptare po synon që të plotësojë të gjithë kuadrin ligjor për ndërtimin e një centrali nuklear në vend. Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Atomike ka 151 vende anëtare, dhe Shqipëria është bërë anëtare me të drejta të plota në vitin 1957.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›