Berisha: Fund pabarazisë gjinore, të shkërmoqim murin e patriarkisë
Tiranë- Partia Demokratike ka zhvilluar sot Konventën e Grave në Pallatin e Kongreseve, ndërsa theksi është vënë tek barazia gjinore.
Kryeministri Sali Berisha ka kërkuar votën e grave demokrate në mënyrë që në katër vitet që vijnë të realizohet ky qëllim.
Vajza dhe gra shqiptare në sallë dhe kudo që jeni, për ne çështja e lirive dhe të drejtave tuaja, është para së gjithash çështja e lirive dhe të drejtave themelore të njeriut. Askush nuk ka pasur histori më të vështirë dhe sakrifica sesa ju. Në sakrificën tuaj qëndron fisnikëria e shpirtit tuaj. Ne jemi këtu për tu zotuar se do bëjmë gjithçka që 4 vitet që vijnë për respektimin e të drejtave tuaja. Vajza shqiptare të të gjitha bindjeve bashkohuni me ne, së bashku të bëjmë të mundur që askush mos të dhunojë liritë dhe të drejtat tuaja. Së bashku me këtë projekt të ‘thërmojmë’ murin e patriarkisë. Të vendosim para ligjit cilindo që guxon të shkelmojë liritë dhe të drejtat tuaja. Të bashkojmë zërin tonë me çdo nënë dhe vajzë që padrejtësisht dhunohet në shtëpinë e saj. Por çështja e vajzave dhe grave nuk është çështje e lirive dhe të drejtave njerëzore, para së gjithash është çështje e zhvillimit të kombit në rrugë evropiane,- tha Berisha.
Sipas kryeministrit zgjedhjet e 23 qershorit janë shumë të rëndësishme për të ardhmen e vendit, ndërsa ka thënë se gjithçka varet në duart e grave.
Ne po ecim drejt zgjedhjeve të 23 qershorit që janë përcaktuese për ëndrrën dhe të ardhmen tuaj dhe të fëmijëve tuaj. Zgjedhje që janë përcaktuese për të ardhmen Evropiane dhe rolin e madh tuajin në shoqërinë shqiptare. Më 23 qershor fitorja si gjithnjë është në duar tuaj, fitorja është vepra juaj, nga zgjedhjet e para pluraliste gjer më sot fitorja e PD ka pasur një emër dhe vetëm një emër, emri i saj ka qenë grua, zonjë, vajzë, zonjushë,- deklaroi ai.