E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të larguarit e AK-së shkojnë tek PS-ja, Rama: Ikën nga një parti diversioni

ak-ja-te-ramaTiranë- Pas shkrirjes së Aleancës Kuq e Zi, disa nga personat që u larguan prej saj i janë bashkuar sot Partisë Socialiste. Në një deklaratë për mediat kreu i PS-së, Edi Rama, ka bërë prezantimin e tyre duke thënë se dyert e opozitës janë të hapura për këdo, ndërsa u shpreh se AK-ja u kthye në një parti diversioni për të çoroditur shqiptarët.

Zhvillova një takim me përfaqësinë e Aleancës Kuq e Zi, njerëzit që kanë marrë pjesë në formësimin e një partie që fatkeqësisht u shfaq së fundmi në rolin e një force diversion për të çoroditur popullin opozitar në funksion të pushtetit familjar e të korruptuar të kryeministrit. Publikisht dua tu them atë që u thashë edhe miqësisht në bashkëbisedimin tonë se dyert e PS-së, e Aleancës për Shqipërinë Evropiane dhe çdo partie brenda aleancës janë të hapura për të gjithë kuqezinjtë idealistë, opozitarë, që janë investuar në këtë projekt me çiltërsinë e qytetarëve të lodhur nga politika.- tha Rama.

Ndërkohë ish-sekretari i AK-së, Dashamir Uruçi, u shpreh se Aleanca Kuq e Zi drejtohet nga një person që ka monopolizuar drejtimin e partisë.

Angazhimi i kryetarit Spahiu për të dalë i vetëm në zgjedhje nuk është rrjedhojë e konsultave të gjera në parti. Ajo prezanton në masë të konsiderueshme pëlqimin e tij politik. Përkrahim opozitën shqiptare, sepse jemi koshientë që Shqipëria ka nevojë për rotacion politik,- tha ai.

Spahiu: Rama si Berisha, me parimin përça dhe sundo

Ndërkohë nuk kanë munguar edhe sulmet e kreut të AK-së, Kreshnik Spahiu, duke thënë se kryesocialisti po bën të të njëjtën lojë si kryeministri, ndërsa ka ironizuar duke thënë se Rama merr anëtarët e pakënaqur, ndërsa deputetët e tij shkojnë me PD-në.

Me parimin përça e sundo Edi Rama po luan shumë mirë lojën e të ndjerit Berisha. Ka marrë përsipër të mbledhë pesë vota kuqezi apo 200 vota socialistësh të integruar. Ai duhet ti japi shpjegim të gjithë shqiptarëve pse bën sikur kujdeset për kuqezinjtë dhe për ti marrë ata në rilindjen e kufomave dhe nuk bën kujdes për deputetët socialist në grupin e tij parlamentar, ku tre deputetë socialistë po mbajnë në këmbë qeverinë e të ndjerit Berisha. Sot I ndjeri Berisha do kishte vdekur politikisht së bashku me qeverisjen e tij nëse deputetët socialistë nuk do të ishin pjesë e koalicionit të tradhtarëve,- deklaroi Spahiu.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›