Berisha: Fundi i protektoratit dhe krimit në Veri

Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, ka përshëndetur dhe i ka ofruar mbështetje të plotë veprimit të Qeverisë së Kosovës dhe EULEX-it për vendosjen e ligjit dhe funksionimin e doganave dhe pikave kufitare.
Përmes një komunikate për medie, Qeveria shqiptare përshëndet dhe mbështet plotësisht veprimin e sotëm të Qeverisë së Kosovës dhe EULEX-it në kufirin verior të Republikës së Kosovës për vendosjen e ligjit dhe funksionimin e doganave dhe pikave kufitare sipas rregullave ndërkombëtare në përputhje me marrëveshjen e arritur në Bruksel për këtë çështje, midis qeverisë së Kosovës dhe asaj serbe.
“Ky vendim i autoriteteve të Kosovës dhe EULEX për të zbatuar marrëveshjen e firmosur në Bruksel nga palët me ndërmjetësimin e BE, përbën një kontribut real ne paqen dhe stabilitetin në rajon”, citohet të ketë thënë Berisha.
Nëpërmjet kësaj komunikate, Qeveria shqiptare i bën thirrje Beogradit të respektoje marrëveshjen dhe të ndërpresë çdo mbështetje për strukturat paralele dhe ata që duan të shndërrojnë tre komunat në veri të Kosovës protektorate të krimit të organizuar, kontrabandës dhe trafiqeve te paligjshme.