E Shtunë, 31 Tetor 2026

Serbia sikur në kohën e Millosheviqit

Nga Express më 16 shtator 2011 në ora 18:09

Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka thënë për Kosovapress se shumica e vendeve të Këshillit të Sigurimit kanë mbështetur vendimin e Qeverisë së Kosovës për shtrirjen e autoritetit në gjithë territorin e vendit dhe dërgimin e policëve dhe doganierëve në pikat kufitare në veri.

Mbrëmë pas mesnatës Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara, me kërkesë të Serbisë dhe Rusisë, ka diskutuar lidhur me gjendjen në Kosovë pas paralajmërimeve për dërgimin e policëve dhe doganierëve në veri nga ana e Qeverisë së Kosovës.

Ministri Hoxhaj ka theksuar se mbajtja e kësaj mbledhje urgjente nuk ka qenë edhe aq e domosdoshme, pasi që dërgimi i policëve dhe doganierëve bëhet në përputhje me marrëveshjen e arritur për vulat doganore në Bruksel, më 2 shtator me palën serbe.

“Shumica e vendeve anëtare të Këshillit të Sigurisë janë në mbështetje të plotë të vendimit dhe të veprimit të Qeverisë së Kosovës për vendosjen e policisë kufitare dhe të doganierëve në të dyja pikat doganore, në përputhje me marrëveshjen që është arritur në Bruksel”, ka thënë Hoxhaj.

Edhe në këtë mbledhje ministri i Jashtëm i Serbisë Vuk Jeremiq u tregua mjaft i ashpër me retorikën e tij, duke shprehur kundërshtimin ndaj dërgimit të policëve dhe doganierëve në veri. Ministri Hoxhaj ka thënë se me deklarata të tilla Serbia po dëshmon se është duke vazhduar politikën e Millosheviqit.

“Ajo që ra në sy në këtë mbledhje të KS ishte gjuha e ashpër dhe retorika shumë e vrazhdë e Serbisë, një retorikë e cila neve na shqetëson për stabilitetin në veri të Kosovës dhe njëherësh Serbinë e bën një faktor destabiliteti sikur në kohën e Millosheviqit”, ka thënë Hoxhaj.

Për më tepër, ai ka bërë të ditur se gjatë kësaj mbledhjeje ka shprehur shqetësimin rreth retorikës së ashpër serbe, si dhe ka shprehur qëndrimin e Kosovës për dialog dhe jetësimin e marrëveshjeve të arritura deri më tash në Bruksel me palën serbe.

“Unë kam shprehur shqetësimin që KS të mos shndërrohet në një fushatë zgjedhore në Serbi dhe të mos fillojnë zgjedhjet në KS para se të fillojnë në Serbi”, ka deklaruar Hoxhaj.

Sa i përket veprimit skandaloz të ambasadorit rus pranë Kombeve të Bashkuara Vitali Çurkin, i cili ka dashur të pengojë ministrin Hoxhaj gjatë paraqitjes në konferencën për media pas mbledhjes së KS, duke kërkuar që aty të jetë edhe përfaqësuesi i UNMIK-ut, kreu i diplomacisë së Kosovës ka thënë se reagimi i diplomatit rus ka qenë më tepër i rastit se sa që kishte diçka personale ndaj tij.

“Reagimi i tij ishte më shumë mbi reagim i rastit dhe pasi përfundoi takimi unë dhe i patëm një komunikim privat dhe duket se sqaruam situatën”, është shprehur ministri Hoxhaj.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›