E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Gabimi ynë për Gërdecin

Berisha: Gërdeci? Nuk e dija. Mediu firmosi pa e ditur Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha ripërsëriti për televizionin shtetëror britanik BBC se nuk kishte pasur dijeni për biznesin vrasës që bëhej pak milje larg Tiranës, në Gërdec. I ftuar në emisionin "Hard Talk", Berisha ia faturoi Ministrisë së Mbrojtjes vendimin për të instaluar bazën e demontimit në një zonë të superpopulluar. Ndonëse pak ditë më parë u zbulua korrespondenca e Shtabit të përgjithshëm për kryeministrin, që e informonin deri dy ditë para tragjedisë së 15 marsit për aktivitetin në Gërdec, Berisha mohoi të kishte dijeni: "Në legjislacionin shqiptar, Kryeministri nuk ka asnjë lidhje me lokalizimin e bazave ushtarake. Komanda ushtarake është një gjë tjetër", u përgjigj Berisha, ndërsa për baxhanakun e vet theksoi se ai kishte qenë një punëtor, i cili ishte kthyer nga emigracioni. Ai i injoroi edhe sondazhet për korrupsionin në Shqipëri, të kryera nga Transparency International dhe u shpreh se nuk do të japë dorëheqjen: "Opozita kërkon çdo tre muaj që unë të jap dorëheqjen. Kjo është e drejta e saj. Opozita ka të gjitha instrumentet. E kam ftuar atë të paraqesë mocion mosbesimi në parlament", u shpreh kryeministri për BBC. Anëtarësimi në NATO nuk ka kushtëzuar gjë, por pritshmëria se reformat në Shqipëri do të vazhdojnë, mbetet ende e në fuqi. Një nga çështjet të diskutuara më shpesh, të paktën si një nga kushtet për anëtarësimin në BE, është se Shqipëria është një vend që po lufton korrupsionin. Kjo është një nga zotimet tuaja kur ju u zgjodhët, duke nënvizuar se "prioriteti ynë më madhor është rikthimi i besimit të qytetarëve tek qeveria". -Absolutisht po. Korrupsioni ishte shndërruar në sistem në Shqipëri. Ajo që qeveria ime bëri është se së pari nxorëm qeverinë jashtë konfliktit të interesit; askush në administratën shtetërore nuk ka konflikt interesash, në një kohë kur në qeverinë e mëparshme ministrat kishin monopolet e tyre private. Së dyti, ne e filluam luftën ndaj korrupsionit nga zyrat tona duke vendosur standarde që parandalojnë përdorimin e fondeve publike për qëllime private dhe personale, dhe kjo na mundësoi ne reduktimin e shpenzimeve operative për administratën nga 3 % në 2.1 % të GDP ose një ulje më shumë se 30 %. Së treti, ne reduktuam administratën e ministrive me 25 %, ulëm me 33 % punonjësit administrativë, me 16 % numrin e nëpunësve civilë dhe kemi qeverinë më të vogël për frymë në Evropë. Po përse Transparency International, e cila harton barometrin global të korrupsionit konkludon se vitin e fundit Shqipëria ishte në listën e 20 vendeve më të korruptuara? -Unë kam pasur një takim me përfaqësues të organizatës Transparency International gjatë vizitës së tyre në Shqipëri. Transparency International punon me perceptimin, dhe unë jam shumë i kënaqur që ata bënë këtë vizitë në Shqipëri dhe kështu i njoha ata me të gjitha rezultatet, dhe me reformat që po ndërmarrim në vazhdim. Ne tashmë jemi një vend që aplikojmë prokurimet elektronike, dhe kostoja e përgjithshme e prokurimeve është reduktuar me 25 %. Nuk mund të themi se ata merren me perceptimin, pasi ata kanë pyetur njerëz dhe 71 % e tyre kanë dhënë ryshfet për një nga shërbimet në vitet e mëparshme. -Është shumë, shumë më i vogël. Ky është vetëm perceptim. Nuk është perceptim, pasi është Transpartency e cila ka pyetur qytetarët të cilët në përgjigjet e tyre thonë se ........ -Është vetëm perceptim. Unë kam folur me ta. Përfaqësuesit e Transparency International gjatë takimit në zyrën time thanë se ishin të impresionuar me rezultatet e luftës ndaj korrupsionit. Me këtë nuk dua të them se nuk ka korrupsion. Korrupsion ka, por lufta ndaj tij është në nivelet më të larta. Cilët janë sektorët ku ky fenomen është më i përhapur? Në tatime, në dogana në ekonominë informate? Ku është? -Gjatë tre viteve të fundit ne kemi miratuar në parlament buxhete suplementare, të mbledhura nga lufta kundër korrupsionit. Këtë vit pavarësisht uljes drastike të taksave me vendosjen e taksës së sheshtë 10 %, ne kemi arritur të mbledhim 1.2 miliardë dollarë më shumë në buxhet. A është Shqipëria e korruptuar tani ? -Ka korrupsion, por po e lufton korrupsionin me sukses. Janë më tepër se 50 zyrtarë të niveleve të larta të arrestuar dhe të dënuar për korrupsion. Vetëm 22 % e të anketuarve nga Transparency International thonë se lufta kundër korrupsionit do të njohë përmirësim në tre vitet e ardhshme. Krahasuar me fqinjin tuaj Kosovën, ku 52 % e tyre shprehen se lufta kundër korrupsionit do të rritet. -Në disa raste media shkakton një zhurmë të madhe për sa i përket korrupsionit. Dhe kjo ka ndikimin e saj tek qytetarët, gjë e cila për të qenë realist është e pashmangshme. Por, me reformat e thella që kemi ndërmarrë rezultatet po bëhen gjithnjë e më të dukshme. Ju jeni ndonjëherë kritik ndaj medias ? -Unë nuk po kritikoj aspak median, por po shpjegoj se këto janë vetëm sondazhe dhe nëse do të bazoheshim mbi sondazhe, unë nuk do të kisha ardhur në pushtet në vitin 2005. Nuk janë njerëz që janë marrë në pyetje, ata janë votuesit tuaj. Janë njerëzit që do të japin votën. -Janë sondazhe. Nëse do të vareshim nga sondazhet, unë nuk do të isha në pushtet në 2005. Por 71 % e të anketuarve thonë se kanë paguar ryshfet, 71 nga 100 të anketuar thonë se kanë paguar ryshfet për një shërbim në vitet e kaluara. -Mund të them se ka ryshfet, por çfarë po bëjmë ne për ta luftuar atë. Ne po lehtësojmë procedurat dhe shërbimet. Shumë njerëz mund të mendojnë se në rregull ju kishit një fillim të mirë, bëtë ndryshime, por ajo që duket se ka lëkundur besimin e shumë njerëzve, është ajo që ndodhi në Gërdec. Ndoshta gjëja më e mirë është t`ju pyes ju.  A mund të na thoni se çfarë ndodhi? -Aty ndodhi një shpërthim i tmerrshëm. Por, dua të qartësoj se ajo nuk ishte një bazë ushtarake, por një pikë demontimi e municioneve nga një kompani private. E cila ishte vendosur në një depo ushtarake. Duhet të shpjegojmë se shpërthimi zgjati 14 orë ... -Njëzet e katër persona vdiqën dhe 300 të tjerë u plagosën nga ky shpërthim, por ajo nuk ishte një bazë ushtarake, por ishte një pikë demontimi i municioneve nga një kompani private për të cilën ka nisur një hetim i plotë. Por ç'ndodhi më vonë? Ne u bëmë dëshmitarë të operacionit më të suksesshëm dhe më energjik të shpëtimit. Ushtria, policia dhe qytetarët tanë shpëtuan shumë jetë në një situatë shumë të rrezikshme. Reagimi ishte i menjëhershëm, në nivelin e duhur dhe reduktoi në maksimum dëmet e shpërthimit. Por, ajo që ndodhi pas këtij shpërthimi ishte se njerëzit u tronditën kur panë se atje punonin edhe gra dhe fëmijë? -Nuk e përjashtoj përgjegjësinë njerëzore për këtë Ishte qeveria që nënshkroi këtë pikë për demontimin e municioneve. A ishte ky një gabim? -Sigurisht që ishte një gabim i madh. Por sërish ju them se nuk ishte bazë ushtarake. Më falni, zoti kryeministër, por qeveria juaj vendosi të instalojë këtë pikë shkatërrimi municionesh, në këtë depo të ushtrisë, gjashtë kilometra larg Tiranës. Ishte një vendim i qeverisë që ajo u vendos atje? -Ishte një vendim i ministrisë. Po ishte një vendim i ministrisë. Ju mendoni se ishte gabim? -Ishte gabim. Sipas këndvështrimit tim, ishte një gabim i qartë. A kishit informacion se çfarë po ndodhte atje? -Absolutisht jo. Pra ju nuk kishit dijeni ? -Jo aspak . Përse jo? -Sepse në legjislacionin shqiptar Kryeministri nuk ka asnjë lidhje me lokalizimin e bazave ushtarake. Komanda ushtarake është një gjë tjetër. Zoti Kryeministër Berisha, kunati juaj ishte mbikëqyrës i kësaj pike dhe ..... -Është e vërtetë, por unë se kam takuar kurrë kunatin tim, por ai nuk ishte mbikëqyrës i kësaj pike. Ai ishte një punëtor, i cili ishte kthyer nga emigracioni në Britaninë e Madhe dhe gjeti një punë atje, dhe vdiq atje gjatë shpërthimit. Pra ju nuk kishit dijeni se gra dhe fëmijë punonin në këtë pikë ? -Absolutisht jo. Pas asaj që ndodhi atje opozita po kërkon dorëheqjen tuaj, sepse ka supozime se qeveria ka qenë në dijeni për këtë pikë? A mund të na garantoni se nuk ka pasur shitje ilegale të municioneve që duhet të ishin demontuar? -Së pari, unë nuk kam asnjë dijeni për këtë. Së dyti, ka nisur një hetim shumë intensiv në të gjitha aspektet. Së treti, nëse ishte një gabim njerëzor, apo cili ishte shkaku i shpërthimit, duhet të hetohet. Kjo është ajo gjithçka që mund t`ju them për një proces që unë nuk e dija. Po ministri i Mbrojtjes a ishte në dijeni ? -Ministri i Mbrojtjes ishte në dijeni, sepse ai ka firmosur urdhrin, por ai nuk e dinte se çfarë po ndodhte në të vërtetë atje. Ai dha dorëheqjen? -Po, ai dha dorëheqjen dhe ky ishte një vendim politik. Por ka njerëz që kërkojnë edhe dorëheqjen tuaj? -Njerëz? Opozita. -Opozita kërkon çdo tre muaj që unë të jap dorëheqjen. Kjo është e drejta e saj. Opozita ka të gjitha instrumentet. E kam ftuar atë të paraqesë mocion mosbesimi në parlament. Çfarë garancish mund t`u jepni shqiptarëve se ju do të jeni tërësisht të hapur për një hetim publik për atë që ndodhi atje ? -Absolutisht. Do të ketë një hetim të plotë dhe të hapur. Skuadra e prokurorëve po asistohet nga gjashtë ekspertë amerikanë, të cilët kanë hetuar edhe për sulmet e 11 shtatorit. Dhe për këtë arsye do të ketë një hetim të plotë. Ka pasur një investigim të "New York Times", e cila ka investiguar kompaninë amerikane AEY, e cila ka furnizuar me armë Afganistanin dhe supozimi është se kjo kompani ka nënshkruar kontrata me disa vende ish-komuniste përfshirë edhe Shqipërinë? -Po. Kompania amerikane ka pasur end-user-in nga Pentagoni. Kompania amerikane ka paraqitur atë që quhet "power of Appointment", për një kompani qipriote. Po bëhet një hetim i plotë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, gjithashtu edhe në Shqipëri. E vërteta për municionet e vjetra është se askush nuk ka fshehur moshën e tyre, pasi një gjë e tillë është e pamundur. Si do ta përshkruanit veten si i mbijetuar në politikë ? -Unë e përshkruaj veten siç e fillova dhe po vazhdoj, dhe jam shumë i lumtur që e shoh vendin si anëtar të NATO-s . Unë jam lideri i parë i opozitës në një vend ish-komunist që kam kërkuar anëtarësimin e vendit në NATO. Shumë thonë se ju jeni i vetmi politikan i mbijetuar nga periudha komuniste ? -Unë nuk kam qenë politikan në kohën e regjimit komunist. Kam qenë një studiues shkencor dhe kardiolog shumë i pasionuar. Nuk është e qartë nëse ju keni qenë kardiologu i diktatorit komunist? -Nuk kam qenë asnjëherë dhe ju e dini pse? Sepse sovrani nuk më ka kërkuar asnjë herë që ta vizitojë atë. Shokët e mi kanë qenë, por unë asnjëherë. Por ti ke qenë pjesë e këtij rrethi. -Jo, nuk kam qenë. Unë nuk kam qenë, pasi nuk plotësoja kushtet e tij. Unë nuk plotësoja kriteret e përcaktuara nga vetë ai. Kaq. Ju keni qenë një anëtar i Partisë Komuniste, dhe President gjatë kohës së rënies së skemave piramidale? -Unë jam angazhuar në themelimin e partisë së parë opozitare, me miqtë e mi në fillim të viteve `90. Përfundimisht ne vazhduam me reformat më të thella dhe të gjithanshme. Pati një zhvillim të skemave piramidale, askush nuk e ngriti zërin në rang kombëtar apo ndërkombëtar. Dhe unë isha njeriu që vendosa për mbylljen e tyre kur mësova se ishin piramida. Njerëzit dhe opozita pretenduan se qeveria kishte mbajtur paratë e tyre. Unë shpalla zgjedhjet e parakohshme, nuk u largova nga vendi dhe pati një hetim 2- vjeçar dhe në fund qeveria e atëhershme u detyrua të pranonte se qeveria e Partisë Demokratike nuk ishte e përfshirë në skemën e piramidave. Ju thatë se keni qenë për dy mandate president në vitet '90? U rikthyer më vonë në vitin 2005 si Kryeministër. Çfarë do të ndodhë në vitin 2009? -Në vitin 2009, do të jenë shqiptarët ata që do të vendosin. Vendimi im i palëkundur është t`u mundësoj atyre të shprehin lirshëm qëndrimet e tyre. A do të jetë OSBE-ja e aftë të thotë se zgjedhjet e 2009-ës si të lira dhe të ndershme, për të cilat nuk ka qenë ende në gjendje ta bëjë një gjë të tillë? Sigurisht. Në zgjedhjet lokale ka pasur vetëm probleme teknike, asnjë ndërhyrje politike. Opozita i cilësoi ato si të lira dhe të ndershme, por mangësitë kishin të bënin kryesisht me listën e zgjedhësve. Ne po punojmë për krijimin e regjistrit elektronik të shtetasve, kartave të identitetit dhe pasaportave biometrike. Ju garantoni se zgjedhjet e ardhshme do të gjykohen si të lira dhe të ndershme? -Absolutisht po. Dhe ju do të jeni Kryeministër pas kësaj? -Këtë do ta vendosin shqiptarët. Si mendoni se do të gjykoheni gjatë viteve në vazhdim ? -Unë nuk punoj për historinë, por punoj për jetën e përditshme. Kjo është motoja ime. Unë zgjidh problemet. NATO ishte ideja ime. Unë do të bëj çdo gjë për anëtarësimin e plotë të Shqipërisë në BE, i cili është projekti tjetër më i madh për shqiptarët. Ne po implementojmë me seriozitet MSA-në në çdo fushë dhe pas kësaj ne do të jemi vend kandidat. Ne kemi strategjinë, kemi burimet dhe do të vazhdojmë të punojmë në mënyrë të vendosur për këtë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›