E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zbulohen marrëdhëniet e Delijorgjit me SAC-in

 

Në kontratën e parë, kompania amerikane ofroi makineri dhe mori 33%. Në kontratën e dytë ofroi emrin për 25%

TIRANË- Kompania "Albademil" e Mihal Delijorgjit ka përfituar dy kontrata të majme me ndërmarrjen MEICO, duke përdorur siglën e amerikanëve "Southern Ammunition Company". Në këtë përfundim ka arritur grupi hetimor i Prokurorisë së Përgjithshme, të cilët prej disa ditësh po hetojnë zbardhjen e tragjedisë së Gërdecit, ku si pasojë e shpërthimit të datës 15 mars kanë mbetur të vdekur 25 persona dhe rreth 300 të tjetë janë plagosur. Grupi i prokurorëve ka në dorë dy kontratat e firmosura mes Delijorgjit dhe Patrick C. Henry III, president i kompanisë SAC, ku përcaktohen edhe përqindjet e aksionerëve në demontimin e armëve në Gërdec. E ndërsa ka dyshime të forta se kontrata e dytë është e falsifikuar, edhe në kontratën e parë, të firmosur në qershor 2007, SAC duket se është përdorur për koperturë. "Fitimet nga Gërdeci në kontratën e parë ndaheshin33 % për SAC dhe 67% për "Albademil", ndërsa në kontratën e dytë, kompania amerikane merrte vetëm 25 për qind të fitimit",-bëjnë me dije burimet e mësipërme.

***

Nga qershori i vitit 2007 deri në dhjetor, në Gërdec janë demilitarizuar kryesisht municionet e lehta. Për këtë proces pune, SAC kishte sjellë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës disa makineri, për të cilat merrte 33% të fitimit. Me futjen në lojë të municioneve të rënda, makineritë e kompanisë amerikane nuk hynin më në punë, ndaj edhe janë ulur aksionet e "Southern Ammunition Company" në 25 %. "Veçanërisht në kontratën e dytë, është përdorur vetëm emri i kompanisë amerikane, në procesin e demontimit në Gërdec",-bëjnë me dije burimet e prokurorisë. Sipas akuzës, vetëm në kontratën e parë kompania SAC kishte sjellë në Shqipëri disa ekspertë, të cilët kanë instaluar makineritë dhe i kanë mësuar banorët e zonës t'i përdorin ato.

***

Kompania e Mihal Delijorgjit i ka blerë shtetit shqiptar mbi 15 mijë ton municione, për 2.1 milionë dollarë, por ende nuk ka një shifër të saktë sesaka fituar ai nga puna e 1 viti në Gërdec. Sipas grupit të hetimit, u takon ekspertëve të përcaktojnë sasinë e produkteve të skrapit, barutit dhe gëzhojave që janë përfituar nga demontimi i kësaj sasie të madhe municioni që është demontuar në fabrikën e vdekjes në Gërdec.Megjithëse prokuroria ka sekuestruar dokumentet e eksporteve të "Albademil"-it në doganë, nuk mund të bëhet një llogari e përfitimeve, përsa kohë ekziston edhe dyshimi i veprës penale të kontrabandës. Sipas burimeve të "Shekullit", skrapi i Gërdecit shitej në tregun gjerman, ndërsa baruti dhe produktet e tjera dërgoheshin në Belgjikë. Ndërsa një analizë financiare e kompanisë së Delijorgjit pritet të bëhet në një moment tjetër nga grupi i hetimit.

KONTRATAT

Kushtet e sigurisë

Një pikë e kontratave është ajo ku shpjegohen masat "tepër të larta të sigurisë". "Demolimi i municionit do të bëhet në kushte tepër të larta sigurie, sipas specifikimeve teknike që kërkon ky proces",- thuhet në kontratë. Por në realitet masat e larta të sigurisë përfunduan në një territor të rrethuar me llamarina, brenda të cilit punonin disa fshatarë të gjorë që nuk kishin asnjë dijeni për rrezikshmërinë e predhave luftarake.

Specialistët amerikanë

Kontrata parashikon edhe ndërtimin dhe instalimin e të paktën dhjetë vijave demilitarizimi dhe sigurimin e nga katër deri në dhjetë teknikëve që kanë si detyrë instalimin, supervizimin dhe mirëmbajtjen e pajisjeve. Në realitet punëtorët panë vetëm një herë ca "specialistë" që u dhanë këshillën e vlefshme: Mos pini duhan mbi barut!.

Baruti dhe tritoli

"Baruti dhe eksplozivë të tjerë nga çmontimi duhet të transportohen jashtë qendrës së çmontimit drejt magazinës së barutit ose eksplozivit sipas të gjitha rregullave teknikë të këtij procesi. Transportimi i barutit duhet të kryhet jo më pak se një herë në 24-orë",- thuhet në kontratat e nënshkruara nga MEICO dhe SAC-t, por që sipas dëshmitarëve nuk është realizuar ndonjëherë kjo metodë pune.

SHKAKU I SHPËRTHIMIT

Ekspertët e SHBA mbledhin dëshmi nëpër spitale

TIRANË- Megjithëse kanë mbi tavolinë dëshmitë e marra nga kolegët e tyre të prokurorisë së Tiranës, grupi i Prokurorisë së Përgjithshme po rimerr në pyetje të gjithë personat kyç që kanë dijeni për fabrikën e Gërdecit. Gjatë ditës së djeshme, pas marrjes në pyetje të Luan Hoxhës dhe ushtarakëve të tjerë, në zyrat e prokurorisë u paraqit ish-sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Mbrojtjes, Ardian Mullai, i cili dha shpjegime të tjera në lidhje me faktet e dala gjatë hetimeve 27- ditore. Mësohet se Mullaj ka shpjeguar sërish para hetuesve për procesin e demontimit në Gërdec si dhe për urdhrat që i kanë shkuar në zyrë, në lidhje me këtë proces. Gjithashtu, gjatë ditës së djeshme, ekspertët e ATF-së të ardhur nga SHBA-ja kanë vazhduar punën me marrjen e dëshmive të punëtorëve që ndodhen të shtruar në pavionin e djegieve plastike në Tiranë, duke u pyetur për shkakun e shpërthimit. "Gjatë këtyre ditëve, përveç këqyrjes së vendit të ngjarjes, ekspertët e ATF-së, me ndihmën e oficerëve të caktuar nga kryeprokurorja Ina Rama kanë vazhduar pyetjen e punëtorëve të kësaj fabrike. Në fokus të hetimit të tyre është shkaku i shpërthimit në fabrikën e Gërdecit. F.Vezaj

Apeli lë në burg pa afat Mihal Delijorgjin dhe Dritan Minxollin edhe pse ata pretendojnë se nuk kanë përgjegjësi

Delijorgji dhe kunati i  tij fajësojnë njëri-tjetrin

TIRANË- Faji për jetët e humbura në Gërdec mbetet jetim. Pas përballjes së dështuar të Ylli Pinarit me gjykatën e Apelit, dy të arrestuarit e tjerë, Mihal Delijorgji dhe Dritan Minxolli nuk kanë hequr dorë nga apelimi i masës së arrestit. Duke ia hedhur fajin njëri-tjetrit, dy kunetërit kanë pretenduar se nuk duhet të qëndrojnë në burg. "Mihal Delijorgji dhe kunati i tij, Dritan Minxolli, njëri president dhe tjetri administrator i kompanisë "Albademil", që demontonte municionet luftarake në fabrikën e Gërdecit në Vorë, do të vazhdojnë të qëndrojnë në qeli me masën e sigurisë "arrest me burg" deri në përfundim të hetimeve, të dyshuar për kryerjen e veprës penale të "shkeljes së rregullave mbi lëndët plasëse, djegëse dhe radioaktive". Ky është vendimi i djeshëm i Gjykatës së Apelit në kryeqytet, i cili u mor pas shqyrtimit të ankimimit të vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë nga avokatët dhe vetë personat nën hetim, Delijorgji dhe Minxolli.

***

Seanca gjyqësore e ankimimit të vendimit gjatë ditës së djeshme u zhvilluan pa praninë e personave nën hetim, 42- vjeçarit Mihal Delijorgjit dhe kunatit të tij 30- vjeçar Dritan Minxolli, të cilët u përfaqësuan nga i njëjti avokat mbrojtës, Arben Prifti. Togat e zeza të kësaj gjykate, pasi shqyrtuan kërkesën e avokatit mbrojtës që dy të arrestuarit të lirohen për shkak se nuk përbëjnë rrezikshmëri shoqërore dhe rrezikshmëri në shmangien e hetimit, u vendos që kjo kërkesë të mos pranohet nga gjykata. Duke pranuar kështu kërkesën e prokurorisë, për lënien në fuqi të vendimit të Shkallës së Parë që dy të arrestuarit të mbesin në qeli me masën e sigurisë "arrest me burg" deri në përfundim të hetimeve. Ndërkaq, pas mbarimit të seancës gjyqësore avokati Arben Prifti u shpreh se Gjykata nuk duhet të aludojë për akuza të tjera ndaj klientëve të tij. "Kërkova zbutjen e masës së sigurisë për dy klientët, duke pasur parasysh sjelljen e mirë të tyre në qelitë e paraburgimit dhe faktin se ata nuk paraqesin rrezik për t'u larguar jashtë vendit",-tha avokati Prifti.

***

Ndërkohë, burime nga gjykata bëjnë me dije se Delijorgji, nëpërmjet avokatit të tij, ka mohuar akuzën, duke pohuar para gjykatës se përgjegjësinë për kushtet teknike në fabrikën e Gërdecit i ka kunati i tij. Ai ka theksuar edhe një tjetër herë se është president i kompanisë dhe se nuk merrej me procesin e punës, por dëshmitë e dhjetëra punëtorëve për praninë e shpeshtë të Delijorgjit në Gërdec rrëzojnë pretendimet e tij. Ndërkohë, Dritan Minxolli ka pohuar para gjykatës se fajin për shpërthimin e kanë vetë punëtorët, pasi ai i kishte paralajmëruar për rreziqet e punës. Dy drejtuesit e kompanisë "Albademil" u arrestuan pak orë pas shpërthimeve në Gërdec. Si pasojë e kësaj ngjarjeje të rëndë, humbën jetën 25 persona dhe u plagosën mbi 300 të tjerë, ndërsa e gjithë zona në periferi të Tiranës u rrënua.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›