E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Garanci depozitave në banka deri në 25 mijë euro



Qeveria, vendim për depozitat e qytetarëve

Garantohen mbi 80 për qind të të gjitha depozitave

Këshilli i Ministrave vendosi dje rritjen e garancisë bankare të depozitave, duke bërë që kursimet e qytetarëve të jenë akoma më të sigurta. Kryeministri Sali Berisha tha se pragu që do të sigurohet, do të jetë 25 mijë euro. Aktualisht, garancia e depozitave është 700 mijë lekë dhe me vendimin e djeshëm, pragu rritet me 4-fish, duke mbuluar mbi 80 për qind të depozitave të qytetarëve në banka. “Trendi pozitiv i rritjes së kursimeve në bankat e vendit, gjatë dy muajve të fundit, inkurajon qeverinë që, së bashku me bankat, të rrisë garancinë e plotë për kursimet deri në 25 mijë euro të qytetarëve. Me këtë projektligj qeveria shqiptare vendos një standard evropian të garantimit të depozitave të qytetarëve”, - u shpreh Berisha. Projektligji, sipas Kryeministrit, do të garantojë jo vetëm besimin e qytetarëve shqiptarë, por edhe të emigrantëve për të sjellë më shumë kursime në Shqipëri. “Ky është vendim me impakt shumë pozitiv për të gjithë emigrantët, të cilët depozitojnë në bankat e Shqipërisë paratë e tyre, duke i pasur 100 për qind të sigurta në masën deri në 25 mijë euro. Edhe ndrojtjet që ata mund të kenë në vendet e tjera ku jetojnë, këtu do të kenë një strehë të sigurt, një vendosje të sigurt për paratë e tyre”, - tha Berisha. Kreu i qeverisë tha më tej se këtij procesi do t’i shtohet edhe një fuqizim i Agjencisë së Garantimit të Depozitave. “Agjencia e Garantimit të Depozitave do të ketë tashmë një fuqizim të ri të madh. Ky veprim, i propozuar nga Ministria e Financave, është shumë i arsyeshëm dhe i drejtë dhe që lidhet direkt me rritjen progresive të nivelit të depozitave në bankat shqiptare”, - shtoi Kryeministri. Me projektligjin në fjalë, qeveria i ka kthyer përgjigje edhe opozitës, e cila këmbëngul se duhen masa për krizën ekonomike. Kreu i qeverisë, Berisha, është shprehur se Shqipëria nuk është prekur nga kriza globale, njëkohësisht ka shtuar se kjo qeveri ka ndërmarrë të njëjtat masa që po ndërmarrin vendet në krizë, që nga fillimi i mandatit të saj. Me rritjen e garancisë së depozitave, pritet që të rritet gjithnjë e më shumë niveli i kursimeve të qytetarëve shqiptarë në banka. Në mbledhjen e djeshme të qeverisë u miratua edhe një vendim për shtesë fondi në buxhetin e vitit 2009 për përballimin e shpenzimeve për përgatitjen e listave të zgjedhësve për zgjedhjet e Kuvendit të Shqipërisë. Kryeministri Berisha tha se ky vendim është në kuadër të infrastrukturës së zgjedhjeve me të gjitha standardet e kërkuara.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›