Topalli: Rama të sqarojë pse nuk ia heq lejet e ndërtimit Delijorgjit
Kryetarja e Kuvendit: Rama e di me kë ishte Delijorgji në Kretë
Debate PD-PS për tragjedinë e Gërdecit
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, kërkoi dje përgjigje publike nga kryetari i Partisë Socialiste për lidhjet e tij me një prej shkaktarëve të tragjedisë së Gërdecit, Mihal Delijorgji. Sipas kryetares së Kuvendit, Rama duhet t’u përgjigjet dy pyetjeve. Së pari, me kë ishte Mihal Delijorgji në Kretë dhe së dyti, përse nuk ia ka hequr lejet e ndërtimit që ia ka dhënë ai vetë si kryetar bashkie. Gjatë seancës së djeshme parlamentare socialistët iu rikthyen akuzave në adresë të Kryeministrit dhe ministrit të Mbrojtjes si fajtorë të tragjedisë, por kryetarja e Kuvendit kërkoi shpjegime nga deputetët e PS-së se përse emri i një prej të akuzuarve kryesorë të kësaj tragjedie nuk përmendet asnjëherë prej tyre.
“Dy pyetje kanë mbetur pa përgjigje gjatë gjithë kësaj kohe:
E para: Pse emri i Delijorgjit nuk përmendet këtu? Pyeteni kryetarin tuaj: Me kë ishte Delilorgji në Kretë, zonjë? E dyta: Pse nuk janë hequr lejet e ndërtimit që Delijorgji ka midis Tiranës, të dhëna nga kryetari juaj? Sa pjesë janë aty brenda?”, - tha kryetarja e Kuvendit, duke iu drejtuar grupit parlamentar socialist. Pyetjet e ngritura nga kryeparlamentarja sollën reagimin e socialistëve dhe kryetarja e grupit, Valentina Leskaj, kërkoi me ngulm fjalën në foltoren e Parlamentit. “Në qoftë se keni informacione dhe nuk i keni çuar në prokurori, atëherë jeni bashkëpunëtore në krim”, - tha Leskaj.
“Kjo nuk është përgjigje, - këmbënguli kryetarja e Kuvendit, - unë dua përgjigje publike, pyeteni edhe ju kryetarin”. Debati nisi nga vetë socialistët me rastin e njëvjetorit të tragjedisë. Kryetarja e grupit parlamentar të PS-së, Valentina Leskaj, kundërshtoi deklaratat e Kryeministrit se incidenti në Gërdec ishte me karakter teknologjik. Leskaj përshëndeti punën e kryer nga Prokuroria e Përgjithshme për zbardhjen e kësaj ngjarjeje. “Ne nxitëm dhe inkurajuam një hetim të drejtë, të shpejtë e të paanshëm nga prokuroria, e cila sot ka vënë nën akuzë rreth 40 zyrtarë të lartë dhe ne përsëri kërkojmë që prokuroria të bëjë sa më shpejt zbardhjen e gjithë të vërtetës për një çështje që implikon vet Kryeministrin e vendit”, - tha Leskaj. Në debatet e mëtejshme deputetët e mazhorancës akuzuan opozitën se e përdor këtë tragjedi për interesat e saj politike. Ndërkaq, me rastin e njëvjetorit të tragjedisë, opozita ka marrë përsipër të protestojë në dy sheshe në kryeqytet, duke lëshuar akuza në adresë të njëra-tjetrës.