E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Skenari i Pangos u shkrua nga Rama



Detajet e fushatës, Berisha: “Një kusht për debat me Ramën dhe Metën”

Kryeministri Sali Berisha foli dje për herë të parë në emisionin “Opinion” të gazetarit Blendi Fevziu për shkarkimin e shpejtë të ish-ministrit të Kulturës, Ylli Pango. Berisha tha se Pango mori atë që meritonte, por lëshoi akuza mbi kreun e PS-së, Edi Rama, se ka skenuar kurthin për ish-ministrin. Kreu i qeverisë tha dje se Rama organizoi skenarin e emisionit për të kapur mat Pangon. “Nuk jam dakord të linçosh një njeri, por si u mor vendimi? Pse disa nga mediat u shndërruan si romanet e Garsia Markezit? Rama organizoi kurthin, ai organizoi linçimin, i kishte shkruar skenarin “Fiksit” bashkë me katër vetë të tjerë”, - tha Berisha, por që shtoi se nuk ka hezituar aspak për të shkaktuar ish-ministrin. “Ai nuk mund të bënte prova në shtëpi për të marrë vajza në panaire. Pango ka marrë atë që meriton. Por shtëpia është shtëpi dhe nuk dhunohet. Asgjë më të keqe nuk mund t’i ndodhë një njeriu se t’i përgjohet shtëpia. Si mund të pranojë të përdorë një vajzë si kamikaze për të hyrë në shtëpi? Si mund të pranojmë të jemi një vend i tillë kur një kamerë me 5 lekë të dhunojë hapësirën e tjetrit?”, - tha më tej Berisha.

Kreu i mazhorancës shtoi: “Duke mos u pajtuar me qëndrimin e ministrit dhe këtë e kam faktuar përpara qytetarëve, nuk mund të pranoj që një njeri ta filmojë tjetrin në shtëpi”.

Fushata

Gjatë emisionit të djeshëm kreu i mazhorancës foli edhe për detajet e fushatës. Ai tha se edhe Partia Demokratike do të përfundojë procesin e zgjedhjeve brenda saj si dhe para datës së zgjedhjeve. Paria Demokratike do të realizojë kongresin e saj. Berisha shtoi se PD-ja do të ketë një kompani konsulente për zgjedhjet. I pyetur për të ardhmen e Partisë Demokratike si dhe grupin parlamentar të saj, Berisha tha: “Sigurisht, grupi i ardhshëm i PD-së dhe i mazhorancës do të ketë një ndryshim të madh”. Sipas tij, do të ketë 30 për qind gra, figura të reja, por “lista do të ketë edhe njerëz të politikës”. Gjithsesi, ai shtoi se “janë vendime që do të merren në momentin e duhur, por do të ketë figura të reja”.

I pyetur se në rast se do të imponohet koalicion me ndonjë parti të majtë pas procesit të zgjedhjeve, Berisha u përgjigj shkurt, duke thënë se nuk pranon të dërgojë vendin në zgjedhje. I pyetur më konkretisht se me cilën nga partitë e majta preferonte për koalicion, gjithnjë në rast se situata imponohet, Berisha tha se “partitë e majta janë një mollë e kalbur e ndarë në dysh”.

Kreu i qeverisë deklaroi se është i gatshëm për debat me drejtuesit e opozitës pas një pyetjeje dërguar prej qytetarëve. Gjithsesi, ai ofroi një kusht për Ramën. “Debat me një kusht, që ata të dy të bëjnë një debat me Fatos Nanon. E patë që doli në media sot, por Rama urdhëroi telebashkinë që të censurojë daljen e tij”, - tha Berisha.

Gjatë emisionit të djeshëm, Berisha foli edhe për tragjedinë e Gërdecit. Ai tha se Gërdeci ishte një aksident tragjik, i parandalueshëm, por që qeveria është e angazhuar për të ndihmuar në rikthimin e situatës në zonë. Berisha akuzoi më tej kreun e PS-së, Rama, se ka përdorur prokurorinë në çështjen e Gërdecit. Sipas tij, kryeprokuroja Ina Rama ka fshehur dokumentacionin, sipas të cilit, ushtria ishte e përshirë në proces. Ai tha se 32 dokumente faktonin që ushtria ishte e përfshirë në proces, por që sipas tij, prokuroria akuzonte ish-ministrin Mediu pa të drejtë se shmangu ushtrinë. “Pse zonja nuk çoi dokumentet herën e parë, por i çoi kur kërkoi zonja Topalli? I kam thënë në zyrën time se do të kesh çdo lloj lehtësire që të kërkosh, por nuk mund të thuash se ke shmangur ushtrinë kur ka pasur 32 dokumente”, - tha Berisha. Kreu i qeverisë shtoi njëkohësisht se nuk ka pasur hezitim për të pranuar dorëheqjen e Fatmir Mediut. “Ajo ishte e vetëkuptueshme, por të jeni i bindur se në rast se është shtyrë disa ditë, nuk ka menduar Mediu se nuk duhet të japë dorëheqjen”, - tha Berisha. Duke folur më tej për prokurorinë, Berisha tha se institucioni është përdorur politikisht. Kreu i mazhorancës tha se prokuroria ka harruar dosjet e vjetra të korrupsionit. “Penalizoi 160 zyrtarë të qeverisë sime, duke harruar ato të qeverisë së mëparshme. Por edhe duke bërë këtë e kam përgëzuar”, - tha ai, duke shtuar se gjatë kësaj periudhe, bashkëpunimi i qeverisë me prokurorinë bëri që 95 për qind e rasteve për korrupsion të denoncuara të vijnë nga qeveria. Më tej, Berisha trajtoi çështje përgjatë gjithë mandatit, duke bërë një bilanc të qeverisë së tij përgjatë këtyre viteve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›