Berisha: Garantoj SHBA se do punoj për pavarësinë e institucioneve dhe zgjedhje të lira. I ftova të monitorojnë gjerësisht zgjedhjet
Kryeministri Sali Berisha priti sot Zëvendësndihmës Sekretarin Amerikan të Shtetit, Filip Riker. Më pas të dy dolën në një konferencë për shtyp. Berisha tha se kishte folur për reformat në vend. Vetë Berisha e vuri theksin tek pavarësia e institucioneve dhe zgjedhjet e lira, që duket se kanë qenë dy shqetësimet e SHBA. Berisha tha se garanton SHBA se do punojë për zgjedhje të lira dhe institucione të pavarura. Ai ftoi amerikanët që të monitorojnë gjerësisht zgjedhjet.
Unë e sigurova zotin Riker se me bindjen time më të thellë, mënyra më dinjitoze dhe e shkëlqyer që Shqipëria të shprehë mirënjohjen ndaj kësaj mbështetje të madhe është që të përkushtohet ndaj vlerave që ne ndajmë si shoqëri të lira. Mënyra më e mirë është që në këtë 100 vjetor, në të cilin shqiptarët ndjehen krenarë me SHBA, si mikun më të mirë dhe të rëndësishëm që kanë në botë, të punojnë për të zhvilluar vlerat që kanë bërë të madhe demokracinë amerikane, që kanë bërë të madh kombin amerikan.
E njoha zotin Riker me të gjitha reformat e ndërmarra, me problematikën që përballemi, me vendosmërinë e qeverisë për të bërë gjithçka për të merituar statusin e vendit kandidat dhe vendosmërinë e qeverisë për të bërë çdo gjë për zgjedhje të lira e të ndershme si dhe ftesën time ndaj qeverisë dhe institucioneve të SHBA për një prani sa më të gjerë në zgjedhjet e ardhshme.
Me zotin Riker një temë e veçantë, një çështje e veçantë ishte dhe konsolidimi i pavarësisë së institucioneve të vendit. E garantova se mbetem plotësisht i vendosur të punoj për pavarësinë e institucioneve dhe e falënderova për shkallën e shkëlqyer dhe ndihmën shumë të madhe që SHBA u jep këtyre institucioneve për funksionimin e tyre më të mirë. Shfrytëzova rastin të përsëris edhe njëherë ftesën për Sekretaren e Shtetit për të vizituar Shqipërinë si një mike e madhe dhe e shquar e shqiptarëve, tha Berisha.
