Berisha: Të ndahet gjuha nga letërsia. Profesorët: Dakord!
Një ditë pasi kryeministri Sali Berisha kërkoi në mbledhjen e qeverisë që lënda e gjuhës të ndahet nga ajo e letërsisë, kanë reaguar një numër profesorësh, të cilët janë dakord me qëndrimin e kryeministrit Sali Berisha.
Përveç gjuhëtares Ledi Shamku, njëkohësisht deputete e PS, e cila kërkon që Berisha të mos ndërhyjë edhe në çështjet e gjuhës, të tjerët e mirëpresin nismën e Berishës dhe thonë se ka qenë edhe kërkesë e tyre.
Gjuha është lëndë lider dhe nuk mund të futet në sqetullën e letërsisë dhe unë kërkoj ndarjen përfundimtare të saj nga letërsia. Ne në shkollë duhet të kemi dy shtylla kryesore; gjuhën dhe matematikën. Por, nëse i përmbahemi konceptit gjuhë letërsi, nuk bëjmë as gjuhë e as letërsi. Ndaj duhet të hyjnë sa më shpejt kurrikulat e reja. Problemi është këtu se ata të cilët i hartojnë ato, ata kanë në mendjen e tyre skemat klasike, sepse janë bërë ndoshta kaq shumë dekada ku gjuha mbështillet me letërsinë. Unë jam një admirues i letërsisë, por natyrisht nuk mund të dëmtojë dhe nuk mund ti marrë gjuhës as edhe një rrokje të vetme, as edhe një minutë të vetme nga programi. Edhe mësuesit duhet të rikualifikohen. Ndaj, në qoftë se ka një divorc pozitiv, të sigurt në të gjitha aspektet, është ky; Gjuha më vete dhe letërsia më vete. Ky bashkim, e ka dëmtuar gjithë këto dekada gjuhën, që është, pas AND-së, elementi më thelbësor i identitetit tonë kombëtar. Dy shtylla janë; AND-ja dhe gjuha, tha Berisha.
GSH ka intervistuar disa profesorë për këtë çështje. Shezai Rrokaj thotë se libri me të dy lëndët ka rezultuar i dështuar. Rrokaj është dekan i Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë. Kurse Rami Memushaj, profesor pranë këtij fakulteti, thotë se bashkimi i lëndëve në praktikë është i parealizueshëm.
Ardian Marashi, drejtor i Qendrës për Studime Albanologjike thotë se po shkohet drejt ndarjes. Kurse Aljula Jubani, përgjegjëse e Departamentit të Gjuhës në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë thotë se ndarja e lëndëve ka qenë një kërkesë e tyre. Përkrah nismës së Berishës është edhe Jorgo Bulo, Jovan Kristaqi, Dhurata Shehri e Gjovalin Shkurtaj.