E Diel, 1 Nëntor 2026

Mediu: PD me 3 mijë votues nxjerr një deputet, kurse PR-së i duhen 32 mijë vota

Share

Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, deklaroi votën e tij kundër reformës zgjedhore, duke e quajtur plotësisht jotransparente. Ai tha se janë pyetur edhe OJQ e parti që nuk kanë eksperiencë politike e parlamentare, por PR, që ka 22 vjet në skenën politike, nuk u pyet për reformën zgjedhore.

Mediu tha se janë bërë 16 reforma zgjedhore në 22 vite. Ai tha se në vend nuk ka asnjë barazi vote.

Me 3 mijë votues PD nxjerr një deputet, PR me 32 mijë votues mezi nxjerr një deputet, tha Mediu, që theksoi se, fjala bie PSD nuk arriti të marrë asnjë deputet me 25 mijë vota.

286 mijë votues shqiptarë përfaqësohen me vetëm gjashtë deputetë, kurse 600 mijë votues shqiptarë përfaqësohen me 65 deputetë, tha Mediu.

Ndërkohë më herët foli kryetari i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule. Ai tha se do votojë pro reformës zgjedhore, edhe pse nuk jep garanci për ndryshimin e pushtetit me votë. Ai madje citoi raportin e Departamentit të Shtetit që theksoi se në Shqipëri është minuar e drejta e qytetarëve për të ndryshuar qeverinë me votë.

Ne flasim për kompromis, por nuk flasim për garanci të standardeve. Marrëveshja PD-PS është kompromis, por larg mundësisë për zgjedhje të lira e të barabarta. Do të votoj pro ndryshimeve në kodin zgjedhor, do përshëndes kolegët e komisionit të reformës, bashkëkryetarët që në një klimë kontradiktore dhe konfliktuale arritën kompromis, por vota ime pro ka disa por, që kërkojnë përgjigje, tha Dule.

Kreu i PBDNJ citoi edhe raportin e Freedom House për zgjedhjet e tha se madje edhe Arben Ristani u zgjodh me konsensus.

Në seancë ishin edhe ambasadori i SHBA-së në vendin tonë, Aleksandër Arvizu dhe kreu i prezencës së OSBE-së, Eugen Volfart.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›