Berisha: Gati 100 prokurorë për hetimin, por deri më tani, opozita ka paraqitur “zero fakte”
Kreu i qeverisë sfidon kryetarin në detyrë të socialistëve, duke e ftuar të publikojë fakte dhe prova për zgjedhjet e 28 qershorit, për të cilat premton angazhimin e gjithë institucionit të akuzës në përfundimin e hetimeve, brenda një periudhe 3-mujore
Kryeministri Sali Berisha u shpreh se shumica parlamentare është e gatshme të bëjë transparencën e çdo flete votimi dhe se ka propozuar për këtë angazhimin e 100 prokurorëve, të cilët mund të nisin nga puna në çdo moment. Shefi i ekzekutivit deklaroi pas vizitës së zhvilluar në Kryegjyshatën Botërore Bektashiane në ditën e Sulltan Novruzit, se 100 prokurorët do të kenë mandat të plotë dhe mjaftojnë 100 prova të Edi Ramës, në mënyrë që akuza të nisë nga puna. “Ky 22 mars i gjen shqiptarët më të bashkuar se kurrë. Por në qoftë se transparencës i themi transparencë, propozimi im për angazhimin e 100 prokurorëve me mandat të plotë për transparencë në çdo qelizë, skutë, proces, fletë votimi të procesit zgjedhor, angazhimi i një buxheti të mjaftueshëm për të përmbushur plotësisht këtë detyrë mendoj se është zgjidhja totale e problemit në rast se kërkohet transparenca. Refuzimi i tyre dëshmon se ka vetëm zero fakte. Ka zero fakte, sepse prokurori funksionon mbi bazën e fakteve konkrete”, u shpreh Berisha.
Kreu i qeverisë theksoi se gatishmëria e treguar nga mazhoranca i ka shërbyer opozitës për të bërë refuzimin radhës, pasi nuk kanë asnjë fakt për manipulimin e zgjedhjeve, veç akuzave politike për qëllime të ulëta.
“Nëse transparencës i themi transparencë, propozimi im për angazhimin e 100 prokurorëve me mandat të plotë për transparencë në çdo skutë fletëvotimi të procesit zgjedhor, angazhimi i buxhetit për të mbushur këtë detyrë është zgjidhja totale nëse kërkohet transparenca. Refuzimi i tyre dëshmon se ka vetëm zero fakte. Prokurori funksionon mbi bazën e fakteve konkrete”, u shpreh Berisha.
Sipas Berishës, Komisioni Hetimor do i japë fakte prokurorëve nëse qëndrojnë apo jo akuzat e përditshme të opozitës.
“Premtova 100 që mos ketë vonesë në proces. Nëse Rama ka 100 fakte me 100 prokurorë kjo do përshpejtojë procesin. Kushtetuta e vendit përcakton ndarjen e pushteteve dhe respektim të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese që nuk i lejon pushtetarët të marrin në dorë detyra kushtetuese”, deklaroi kreu i qeverisë Sali Berisha.
Për sa i takon funksionimit të Komisionit Hetimor, kryeministri Berisha vuri në dukje se ai do t’i japë fakte prokurorëve, mjafton të opozita të ketë kurajë të zbardhë qoftë edhe një fakt të vetëm që mund të verë në lëvizje trupën e prokurorëve.
“Komisioni i jep fakte prokurorëve. Unë premtova 100 prokurorë në mënyrë që të mos këtë vonesa në proces. Imagjino nëse Edi Rama ka 100 fakte dhe 100 prokurorë fillojnë njëherazi hetimin e tyre. Pra, me një shpejtësi shumë më të madhe nga çdo mund ta bënin 15 anëtarë komisioni dhe me një kompetencë e profesionalizëm shumë më të madh, por edhe në respekt të plotë të Kushtetutës së vendit që përcakton ndarjen e pushteteve, si një nga 2-3 shtyllat themelorë të sistemit demokratik; në respekt të plotë të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, të cilat nuk i lejojnë politikanët që të marrin në dorë kompetenca të pushtetit gjyqësor. Pra, unë mendoj se kjo nuk refuzohet. Uroj dhe shpresoj që ata që janë të interesuar për transparencë ta pranojnë këtë ofertë. Oferta është më e ndershmja dhe më e sigurta për transparencë të plotë”, tha ndër të tjera, kryeministri Berisha.
...