Meta: Opozita të ndalë politikën destruktive, t’i drejtohet Kushtetueses ose Komisionit të Venecias për zgjedhjet

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm Ilir Meta shprehet gjatë një komunikimi me mediat, pas vizitës së zhvilluar në SHBA, se opozita bën mirë t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese ose Komisionit të Venecias për pretendimet e saj.
Kryediplomati shqiptar thotë se mazhoranca nuk mund të dalë mbi vendimet e gjykatave, për sa kohë ka një ndarje pushtetesh, që duhet t’i respektojë çdo forcë politike në vend.
“Mazhoranca ka pranuar t’i japë shumicën dhe drejtimin e Komisionit opozitës. Mazhoranca ka pranuar që për çështjen e hapjes së kutive të merret vendim nga Kushtetuesja. PS t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese. Mazhoranca ka pranuar t’i drejtohet Komisionit të Venecias, por opozita ka refuzuar. Po kështu, ju jeni në dijeni të iniciativës më të fundit të Kryeministrit Berisha për të mbështetur Prokurorinë, në mënyrë që ajo të ketë kapacitet e duhura njerëzore, pra me fonde, pasi këto gjëra i zgjidh vetë Prokuroria që është e pavarur nga Qeveria, në mënyrë që ajo të ketë një task-force vetëm për hetimin e zgjedhjeve, sipas pretendimeve që ngre, apo mund të ngrejë Partia Socialiste.
Pra është e qartë se nga ana e mazhorancës janë bërë të gjitha lëshimet e duhura dhe janë krijuar të gjitha mundësitë, të cilat kanë të bëjnë me një rol konstruktiv të opozitës për të verifikuar pretendimet e saj”, deklaroi ministri i Jashtëm, Meta.
Zëvendëskryeministri theksoi gjithashtu se PS po përpiqet të ndjekë një politike destruktive që synon të prishë imazhin e vendit.
“Sigurisht që e gjithë kjo politikë destruktive synon të dëmtojë sa më shumë imazhin e vendit, nuk synon të hapë kutitë. Sepse po të ketë vullnet për të hapur kutitë, është bërë e qartë që mund të ndiqet rruga përmes Prokurorisë, si institucion i pavarur, dhe që ka të gjitha përgjegjësitë kushtetuese dhe ligjore për ta bërë këtë gjë. Në rast se duan që parlamenti të hapë kutitë, duhet t’i kërkojnë Gjykatës Kushtetuese që ta konfirmojë këtë mundësi, madje mund t’ia kërkojnë edhe Komisionit të Venecias. Në rast se mendojnë se mund të marrin me dhunë pushtetin, sikurse kanë bërë edhe thirrje, kjo është çështje e tyre. Ata kanë të drejtën e tyre të ëndërrojnë, por natyrisht që do të mbajnë edhe përgjegjësitë e tyre. Qeveria do të jetë gjithnjë e hapur, e qetë, do të respektojë ligjin dhe vazhdimisht do t’i ftojë që të marrin shumicën në Komisionin që kërkuan, të marrin edhe drejtimin e tij”, deklaroi më tej, kryediplomati shqiptar.
Në fjalën e tij, Meta u ndal edhe tek vizita e zhvilluar në SHBA dhe takimet e rëndësishme të zhvilluara atje. Ai tha se SHBA-të konfirmuan edhe njëherë marrëdhëniet shumë të ngushta me Shqipërinë, në një kohë kur vendi ynë është anëtar i NATO-s
“Kemi ndarë dhe një herë të njëjtën bindje se, marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe SHBA janë shumë të dobishme dhe të rëndësishme për stabilitetin e rajonit tonë, ku natyrisht politika e jashtme dhe rajonale e Shqipërisë vlerësohet dhe mbështetet në mënyrë të veçantë nga SHBA”, deklaroi Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Ilir Meta.
...