Opozita e mirëpritur në komisionin hetimor, në të kundërt do të zbatohet vendimi i Kuvendit
Anëtari i Komisionit Hetimor, Eduard Halimi
Mazhoranca do t’i japë opozitës gjithë kohën e nevojshme për të plotësuar vendet bosh në komisionin hetimor për zgjedhjet e 28 qershorit. Kështu shprehet deputeti Eduard Halimi, anëtar i përbërjes parlamentare të mandatuar për të hetuar këto zgjedhje. Halimi thekson se të majtëve do t’i jepet një shans i dytë, për këtë arsye nuk ka një datë të saktë për nisjen nga puna të komisionit.
“Komisioni nuk do ngutet, komisioni ka gjithë kohën e duhur. është shumë e rëndësishme që opozita të vijë në komision, do presim besoj ditë pas dite, që anëtarët e opozitës të ulen në këtë komision, në mënyrë që të jenë të ndershëm qoftë moralisht qoftë edhe me elektoratin për të hetuar transparencën që ata e kanë kërkuar me kaq ngut gjatë gjithë kësaj kohe. Do të presim që anëtarët e komisionit të vijnë, sigurisht që pastaj komisioni do jetë i detyruar të zbatojë vendimin e Kuvendit të Shqipërisë”, u shpreh Eduard Halimi, deputet i PD.
Komisioni i kërkuar nga opozita dhe i miratuar nga mazhoranca ka në përbërje të tij 15 deputetë, të gjithë anëtarë të komisionit të ligjeve.
Ndërkohë që Partia Socialiste ka deklaruar mosnjohjen e tij, mazhoranca do të përfaqësohet nga Ilir Rusmali, Viktor Gumi, Eduard Halimi, Arenca Trashani, Edi Paloka, Enkelejd Alibeaj dhe Nasip Naço.
...