“Pasaportat biometrike, kusht i plotësuar”

Zëvendësministri i Brendshëm Ferdinand Poni
Shqipëria ka përmbushur një nga kriteret për pajisjen e qytetarëve me dokumentet biometrike të identifikimit.
Zëvendësministri i Brendshëm, Ferdinand Poni, u shpreh dje se pret vlerësimet maksimale nga përfaqësuesit evropianë që ndodhen në vend, për të ndjekur ecurinë e procesit të liberalizimit të vizave.
“Aplikime gjithsej për pasaporta biometrike janë 548 mijë. Nga këto, të prodhuara dhe të shpërndara në komisariatet e policisë apo pikat e shpërndarjes që në kemi në të gjithë vendin janë 527 mijë. Sistemi që Shqipëria disponon, i ndërtuar për shkak të një binjakëzimi harmonik ose për shkak të një korrelacioni harmonik midis sistemit të dokumenteve të identitetit dhe sistemit të referimit të gjendjes civile, konsultimit elektronik të tyre, së bashku me cilësinë jashtëzakonisht të madhe të dokumenteve që kanë. Ne jemi mjaft të sigurt dhe për të tjera raportime që do të bëhen lidhur me cilësinë dhe impresionizmin jashtëzakonisht të mirë që do të kenë monitoruesit apo të gjithë ata që mund ta vizitojnë Shqipërinë, siç janë në këtë rast edhe europarlamentarët e nderuar. Jam i sigurt që në mënyrë të paanshme, në mënyrë të drejt për drejtë ata do të konstatojnë cilësinë shumë të lartë të procesit në të gjithë parametrat e tij”, deklaroi Zëvendësministri Ferdinand Poni.
Zëvendësministri i Brendshëm tha më tej se për pasaportën biometrike kanë aplikuar 548 mijë shtetas, janë shpërndarë në pikat e shpërndarjes 527 mijë, ndërsa janë tërhequr nga qytetarët 437 mijë pasaporta. Lidhur me pajisjen me kartat e identitetit, Poni vuri në dukje se 1 milion e 996 mijë shtetas kanë aplikuar për kartën e identitetit ndërsa e kanë tërhequr atë plot 1 milion e 788 mijë prej tyre.
...