Meta mbështet protestën e banorëve të Bathores: “LSI-ja do të zgjidhë problemet tuaja”
Qindra banorë të zonës së Bathores në Kamzë zhvilluan dje një protestë paqësore për kushtet e vështira ekonomike në të cilat jetojnë. Kërkesat e tyre ishin jetike: për punësim, ujë të pijshëm, heqjen e faturave afrofe të energjisë elektrike, kushte më të mira në shkolla, legalizim, etj. LSI-ja e përkrahu plotësisht këtë protestë të drejtë të banorëve të Bathores, duke i quajtur kërkesat e tyre të drejta dhe legjitime. Në këtë protestë u bashkua edhe lideri i LSI-së, Ilir Meta, si dhe të tjerë drejtues të LSI-së. Gjatë fjalës së tij në këtë takim, Meta përkrahu kërkesat e banorëve të Bathores, teksa i siguroi se LSI-ja do të angazhohet për zgjidhjen e problemeve të tyre. ‘LSI-ja do t'u qëndrojë gjithnjë në krah, në të gjitha kërkesat e tyre të drejta dhe legjitime, për të ndërgjegjësuar aq sa është e mundur parlamentin e sotëm, i cili është një parlament, që për fat të mirë brenda pak muajsh do ta mbyllë aktivitetin e vet. Dua t'ju siguroj që problemet tuaja do të jenë një problem i padiskutueshëm i yni jo vetëm për zgjedhjet e 28 qershorit, por për të gjithë lëvizjen e 29 qershorit. Ne nuk premtojmë çekun e bardhë, por ne premtojmë punësim për çdo familjar që ka nevojë për të punuar për të siguruar të ardhura për të garantuar jetën e tij dhe të fëmijëve të tij”, - tha Meta.
17 Shkurt 2009