Berisha: Gati miratimi i ligjit për pronësinë
ADI SHKËMBI
Kryeministri Sali Berisha i përgjigjet akuzave të kryesocialistit Edi Rama për incidentin e pronësisë në Orikum të Vlorës. Dy ditë pasi kreu i PS-së takoi banorët që u përballën me policinë, kreu i ekzekutivit tha se do të mbajë premtimin për miratimin në Parlament të ligjit, që u jep pronësinë mbi tokën këtyre banorëve. Duke folur nga mbledhja e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Berisha ironizoi takimin e Ramës në Orikum, teksa iu referua një momenti kur kreu i socialistëve nxori jashtë takimit një prej banorëve. “Dy ditë më parë po ndiqja përmes ekranit të televizionit një takim të kryetarit të opozitës. Me nervozizëm ai nxori njerëz jashtë nga salla. I them se kjo nuk është praktikë produktive. Vërtet ti përdor pushtetin për të nxjerrë këtë apo atë nga salla, por e vërteta është se në opinionin publik ndodh e kundërta. Kur e përdor dhunshëm pushtetin, je ti që del nga salla, prandaj rri i qetë. U tha qytetarëve të Orikumit se Berisha nuk ka mbajtur premtimin”, u shpreh Berisha. Para deputetëve demokratë, kreu i maxhorancës premtoi miratimin në Parlament të ligjit, që u jep pronësinë banorëve të Orikumit, të cilët me statusin aktual e kanë pronën vetëm në përdorim. “E garantoj zotin Rama se Berisha do të mbajë çdo premtim. Kjo nuk ka diskutim. Atë premtim që kam bërë për tokat e fermave, atë e kam dekretuar dhe, në radhë të parë, i dal zot vetes time. Unë si President i Republikës bëra dekretin, e kam bërë me vetëdijen më të plotë dhe bëra ligjin. Ndodhi një manovër parlamentare e zakonshme që ma dështoi, por kjo shumicë do ta kalonte atë ligj. Ai premtim nuk është bërë vetëm në Orikum, është bërë në Ksamil dhe në shumë vende të tjera dhe do të mbahet”, theksoi më tej kryeministri. Miratimi i ligjit për dhënien e pronësisë mbi këto prona u tentua të kalohej në javën e fundit të Parlamentit, por Partia Republikane bashkoi votat me Partinë Socialiste duke rrëzuar draftin. Gjatë takimeve elektorale në qytetin e Vlorës, kryeministri Berisha premtoi kalimin sa më shpejt në Parlament të këtij ligji, i cili rregullon marrëdhëniet e këtyre qytetarëve me tokat që i morën në përdorim rreth 15 vjet më parë.