Meta: Turizmi prioritet i qeverisë, por s’jemi mirënjohës ndaj natyrës
Ministri i Jashtëm, Ilir Meta tha dje se turizmi do të jetë prioritet i Qeverisë shqiptare. Duke folur në çeljen e vitit të ri akademik të Universitetit Evropian të Turizmit, kreu i diplomacisë shqiptare tha se: “Unë jam i bindur se, zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik në vend nuk mund të kuptohet kurrsesi pa kontributin e rëndësishëm të Turizmit dhe për këtë arsye ky sektor prioritar do të jetë kryefjala e axhendës së Qeverisë shqiptare. Ne jemi të bekuar për vlerat e rralla turistike që ofron natyra shqiptare, por njëkohësisht jemi të vetëdijshëm se nuk jemi aq mirënjohës ndaj natyrës për këto bukuri përrallore që na ka dhuruar”. Sipas tij, për të promovuar vlerat turistike dhe për ti bërë ato të njohura nëpër botë, Ministria e Jashtme ka nënshkruar një memorandum bashkëpunimi me Agjencinë Kombëtare të Turizmit. Meta tha se duhet të aplikohen masa administrative ndaj personave që nuk kujdesen për mirëmbajtjen e ambientit. Sipas ministrit të Jashtëm është e papranueshme që pas 19 vitesh, të mos ketë kujdes minimal për shëndetin e qytetarëve, por edhe për ambientin. Megjithatë, Meta tha se ai është partizan i kalimit të pushimeve në Shqipëri, siç ndodhi edhe vitin e fundit, kur ai qëndroi tre javë në Dhërmi. “Unë besoj se duhet të punojmë shumë në këtë drejtim. Unë personalisht jam partizan i zhvillimit të pushimeve në Shqipëri, pasi kam pasur shumë përvoja edhe në vendet e tjera. Por këtë vit kam kaluar pushimet me familjen për tre javë në Dhërmi. Por vërtetë është për të ardhur keq që në vende të tilla përrallore të shohësh papastërti të ndryshme, ku nuk kujdeset asnjeri”, theksoi më tej ministri i Jashtëm.