Athina kushtëzon Shkupin për çështjen e emrit
Kryeministri grek Jorgo Papandreu ka lënë të kuptohet se në samitin e dhjetorit do të bllokojë caktimin e datës së nisjes së negociatave për anëtarësimin e Maqedonisë në Bashkimin Europian, deri në zgjidhjen përfundimtare të cështjes së emrit mes Shkupit dhe Athinës. Duke folur për takimin e shkurtër me homologun e tij maqedonas, Nikola Gruevski, Papandreu tha se ishte një rast për t’i theksuar drejtëpërdrejt vijën e kuqe të Greqisë, që shprehet në qëndrimin e njohur për një emër me përcaktim gjeografik që të përdoret kundrejt të gjithëve, ndërsa nënvizoi se i bëri të ditur Gruevskit se Greqia është e para që dëshiron ta shohë vendin fqinj në NATO dhe në BE, por që të arrihet kjo, duhet zgjidhur më parë cështja e emrit. Pas qëndrimit në Bruksel, kryeministri Papandreu tha se Greqia u prezantoi liderëve të BE-së iniciativën e tij për integrimin ë të gjithë vendeve të Ballkanit në Bashkimin Europian. Sipas kryeministrit grek, ky propozim do të japë shpresë dhe vizion të ri për rajonin. Ai shtoi se zhvillimet e reja do të japin edhe një dinamizëm në zgjidhjen e problemeve dypalëshe.
Rusi
Putin: “BE-ja, të paguajë borxhin e Ukrainës”
Kryeministri i Rusisë Vladimir Putin i bëri thirrje Bashkimit Europian që të ndihmojë Ukrainën të paguajë faturat e gazit, pasi dje e paralajmëroi BE-në se mund të ndërpresë furnizimin me gaz përmes Ukrainës nëse Kievi nuk i paguan faturat. “Nëqoftëse ekzistojnë probleme me pagesën ukrainase, kërkojmë nga partnerët tanë europianë që të ndihmojnë Ukrainën”,- tha Putin në Moskë pas takimit me kryeministrin e Danimarkës, Lars Leke Rasmusen.
"Le t’u japë Europa një miliardë, le ta hapë kuletën”,- shtoi kryeministri rus.
Afganistan
Karzai shpallet president i vendit
Komisioni i Zgjedhjeve në Afganistan e ka shpallur Hamid Karzain president të zgjedhur dhe e anuloi rrethin e dytë të votimit.
Kreu i Komisionit të Pavarur të Zgjedhjeve, Azizullah Ludin e bëri njoftimin në një konferencë për shtyp në Kabul. “Në dritën e të gjitha këtyre argumenteve, në pajtim me artikullin 156 të kushtetutës dhe artikullin 49 të ligjit, Komisoni i Zgjedhjeve e shpall Hamid Karzain, kandidatin kryesor nga rrethi i parë dhe kandidatin e vetëm në rrethin e dytë, si president të zgjedhur”,- tha Ludin. Vendimi i komisionit pasoi tërheqjen nga gara të rivalit të vetëm të Karzait, ish ministrit të Jashtëm, Abdullah.
Pakistan
Armata pushtoi qytetin kyç taliban
Zëdhënësi i ushtrisë së Pakistanit tha se trupat kanë vënë nën kontroll të plotë qytetin Kanguram, ndër më të madhin në Vaziristanin jugor, i cili ishte qendër operacionale e talibanëve. Gjeneral majori Atar Abas deklaroi se zona e qytetit Kaniguram është pastruar krejtësisht nga terroristët. Ai tha se vendi është pastruar nga minat, dhe se ushtria ka zbuluar sasi të mëdha armatimi dhe municioni. Pakistani ndërmori një ofensivë në muajin tetor kundër militantëve në Vaziristanit jugor, ku kohëve të fundit është rritur fuqia e talibanëve.
3 Nentor 2009