E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Gati të takohem me Ramën, pres ftesën e Topit

Kryeministri Sali Berisha është i gatshëm të takohet me kundërshtarin politik, Edi Ramën, dhe mirëpret ftesën e Presidentit të Republikës, Bamir Topi, për t’u ulur në tryezën e negociatave. Rekomandimit të Këshillit të Evropës që përmes rezolutës së fundit kërkon dialog mes palëve dhe rikthimin e opozitës në Kuvend, kreu i qeverisë dje iu përgjigj pozitivisht, teksa mori pjesë në ceremoninë e përurimit të fondacionit "Konrad Adenauer", ku ishte i pranishëm edhe kreu i Bundestagut. Kryeministri i vendit ftoi kreun e opozitës të ulet në tryezën e Presidentit Topi për t’i dhënë fund ngërçit politik që ka mbërthyer vendin prej rreth 8 muajsh. Por ai kërkoi që kreu i opozitës të mos vendosë kushte paraprake. “Unë mendoj se serioziteti i procesit kërkon qëndrim serioz, por unë vetëm jam i gatshëm, që për çdo variant, qoftë për kafe, qoftë jo për kafe, qoftë me zotin Rama, qoftë me zotin Topi. Unë nuk kam absolutisht asnjë paragjykim për asgjë, por natyrisht, të mendohet se i shërbehet çështjes, pa një përgatitje, kjo nuk qëndron. Unë personalisht, megjithë eksperiencën time politike, më duket se përgatitjet janë të nevojshme”, - theksoi z.Berisha. “Ftesa ime për Ramën është të lëmë deklaratat e të ulemi në tryezë. Që sot jam gati të ulem në tryezë për dialog”, - u shpreh Kryeministri Berisha. Ai shtoi se mazhoranca është në pritje të ftesës së Presidentit për tryezën e dialogut. "Jam i gatshëm të bashkëpunoj dhe pranoj si negociator këdo që garanton zgjidhje", - deklaroi z. Berisha. Kryeministri më tej vuri në dukje se duhet garanci që bisedimet të mos dështojnë. “Absolutisht nuk ka asnjë vështirësi për t’u ulur që sot pasdite. Nuk ekziston për mua vështirësi për t’u ulur me asnjeri. Unë e kam faktuar këtë dhe nuk paragjykoj asgjë. Ish-vartësin tim, kur unë kam bërë përpjekjet për ta zgjedhur president, nuk e kam zgjedhur për ta bërë vartësin tim. Ai është Presidenti i Republikës. Ka vetëm një njeri, i cili nuk e di nëse do ta marrë përsipër apo jo këtë gjë, por nëse ai e merr përsipër këtë, mendoj se nuk do të na ftojë me lugë në brez, por do të ulemi të punojmë. Hiqeni nga mendja se mund të ketë nga ana ime ndonjë lloj paragjykimi, për asgjë. Edhe një herë thirrja ime për zotin Rama është të ulemi, rezoluta është shumë e mirë, është me të vërtetë në interesin e Shqipërisë. Kushdo që e lexon rezolutën, kushdo që lexon shqetësimet dhe preokupimet që shprehu ajo sallë, kupton se ai është një apel, shumë i ndershëm, miqësor për të proceduar”, - deklaroi z.Berisha. Edhe herë të tjera, Kryeministri Berisha ka bërë të qartë se kërkon dialog me opozitën, por gjithnjë duke specifikuar faktin se ato të jenë në përputhje të plotë me normat kushtetuese. Nga ana e tij, kreu i opozitës, Edi Rama, ka bërë të ditur se PS është e gatshme të ulet në tryezën e Presidentit për të zgjidhur krizën politike në vend, por pa hequr dorë nga një hetim i zgjeruar i procesit zgjedhor, duke përfshirë dhe hapjen e kutive të votimit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›