Bisedimet PD-PS, në fund të shkurtit
Bisedimet mes mazhorancës dhe opozitës me ndërmjetësimin e Presidentit Bamir Topi pritet të mbahen në javën e fundit të shkurtit. Të paktën kështu parashikohet sipas axhendës që ka vendosur delegacioni i Këshillit të Evropës, i cili do të mbështesë këto bisedime dhe i cili ishte në fakt nxitësi i dialogut politik. Ky delegacion do të mbërrijë më datë 22 shkurt në Tiranë, që do të thotë se bisedimet mund të nisin pak ditë para kësaj date ose atë ditë. Pas miratimit të rezolutës që kërkonte zgjidhjen e krizës politike nga ana e Asamblesë Parlamentare të KiE-së, asnjë hap konkret nuk është hedhur nga palët, përveç deklaratave që tregojnë gatishmërinë e tyre për bisedime si dhe kushtet paraprake për negociata. Ndërkaq, Këshilli i Evropës duket se e ka marrë seriozisht këtë çështje, duke bërë gati delegacionin që do të mbështesë Presidentin në rolin ndërmjetësues. Në një intervistë për BBC-në, raporteri për Shqipërinë, Jaakko Laakso, bën të ditur këtë dhe thotë se është absolutisht e nevojshme që bojkoti i Parlamentit të përfundojë. Duke bëtë të ditur dhe kohën kur mund të gjendet zgjidhja ai thotë: “Gjetja e rrugës për të arritur deri këtu do të jetë sfida kryesore gjatë vizitës që një delegacion i Këshillit të Evropës do të bëjë në Tiranë më 22 shkurt”. “Ne mendojmë se do të jetë e nevojshme që të takohemi me përfaqësuesit e partive politike, jo thjesht që ata të kenë mundësinë të na sqarojnë se ku qëndron problemi dhe se çfarë idesh kanë për të gjetur një zgjidhje, por mendoj gjithashtu se duhet të kemi edhe një takim të përbashkët me të gjitha forcat kryesore politike”, - thotë Laakso. Raporteri i KiE-së nuk pranon të shpallë ndonjë përgjegjës për situatën, por shton se delegacioni do të vijë në Tiranë me propozime konkrete. “Do të bëjmë edhe disa propozime konkrete për të cilat nuk mund të jap më shumë hollësi për momentin. Ky nuk është një mision faktmbledhës, pasi ne i dimë faktet. Ideja është që të ndryshojmë realitetin në terren dhe të fillojë dialogu mes partive politike”, - shprehet ai. Laakso foli dhe për problemin e përbërjes së delegacionit shqiptar në KiE dhe tha: “Problemi është se opozita shqiptare nuk përfaqësohet në delegacion. Ky është një ndër rezultatet e bojkotit. E vetmja rrugë për ta zgjidhur këtë problem është që t'i jepet fund bojkotit dhe opozita të përfaqësohet në delegacionin shqiptar në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës”.