Berisha: Gati të ulemi në tryezë me opozitën
Mazhoranca shprehet sërish e gatshme të ulet në tryezë për të diskutuar për reformën zgjedhore. Duke folur në mbledhjen e grupit të PD-së kryeministri Berisha theksoi se mazhoranca i qëndron plotësisht propozimit të mëparshëm për të bashkëpunuar në mënyrë që reforma zgjedhore të miratohet në kohë rekord.
“Nëse opozita dëshiron të hartojë të gjitha amendamentet dhe t`ia dërgoj Komisionit të Venecias dhe ODIHR-it dhe pranohen nga ato ne ivotojmë pa kushte pasi ato që vijnë nga këto instuticione janë sipas standarteve europiane” ka theksuar Berisha.
Ai ka theksuar se mazhoranca është e gatshme të ngrejë tryezën për reformën zgjedhore në praninë e ekspertëve të Komisionit të Venecias dhe ODIHR-it dhe me konsensus të plotë do të bëjë të mundur që kjo reformë të jetë gjithëpërfshirëse .
Më tej kryeministri Berisha theksoi se kreu i PS-së nuk është i gatshëm të angazhohet për reformën zgjedhore ndërsa ka shtuar se ai propozon një skemë primitive.
Sipas kryeministrit Berisha e njëjta gjë vlen edhe për rregulloren e parlamentit ku rregullorja duhet të jetë brenda kritereve ndërkombëtare. "Duhet tu them qytetarëve se pavarësisht nga të gjitha zoti Rama e shprehu se realizoi qëllimin e tij dhe ai ishte rrëzimi i statusit, fakti se të gjitha vendet e morën përveç Shqipërisë, tregon se ka një opozitë që ka përzgjedhur bllokimin për pengimin e integrimin si të vetmen rrugë për të ardhur në pushtet, por unë jam i bindur se kjo është një përzgjedhje e gabuar. Nuk ndodh që ndonjë opozitë të ketë prioritet pengesën e integrimit" ka shtuar kryeministri.
Kryeministri Berisha theksoi më tej se komuniteti ndërkombëtar ka bërë përpjekjet më të jashtëzakonshme, ku ka patur dhe takime për të ndihmuar Shqipërinë dhe ka pasur takime enkas dhe vetëm për të ndihmuar zotin Rama, por rezultati i tyre ishte jo ai për atë që ndërkombëtarët punonin.
“Rama nuk pranoi asnjë nga sugjerimet e ndërkombëtarëve, rezultati i atyre që ndihmuan Ramën është dëshpërues pasi ndihmuan Sali Berishën dhe partinë e tij sepse Rama mbeti dy vjet duke shqipëruar thirrjen hap kutitë. Ajo që ndodhi është që PS-ja u fut në kuti dhe kutitë nuk u hapën. Ajo harroi të përmbush misionin e saj të opozitës, të kritikës , të kontrollit, të qeverisjes dhe ajo u mbyll në katër faqet e kutisë dhe në këto pjesë e dëmtuan atë. Ata që inkurajuan që të mbajë atë kurs që mbajti i kushtoi asaj vota më pak dhe disfatën personale në kryeqytet” ka shtuar Berisha duke shtuar se e fton kreun e PS-së se nëse dëshiron reformat të ulet në tryezë në kushte pariteti.
Gjithashtu kryeministri Berisha theksoi se buxheti do të mbështesë të gjitha reformat sociale, do t`i konsolidojë ato dhe do të bëjë të mundur edhe përfundimin e të gjitha skeve rrugore që do të tranformojnë Shqipërinë.