Kombësia, Idrizi: Gjobat ndaj atyre që gënjejnë janë normale
VLORË Turi “Ji krenar që je shqiptar” ndaloi dje në qytetin e Vlorës, ku Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Klubi i Patriotëve të Rinj dhe Shoqata “Çamëria” u bëri thirrje qytetarëve që të mos lejojnë abuzimin me censusin, duke deklaruar me krenari përkatësinë etnike. Kryetari i PDIU-së, Idrizi, u shpreh sërish kundër pyetjeve mbi etninë dhe fenë, por theksoi se në çdo rast PDIU-ja ka arritur që të ndalojë abuzimin me kombësinë, nëpërmjet amendamenteve të saj. Pasi sqaroi amendamentet, Idrizi hodhi poshtë akuzat e disa përfaqësuesve të minoritetit se gjobat për ata që japin deklarim të rremë mbi kombësinë janë të paligjshme, duke theksuar se edhe Italia po e aplikon këtë sistem.“Kushtëzimet që do të vinin prej të dhënave fiktive të censusit do të ishin shumë të rënda”, - tha ai. Idrizi theksoi se këto amendamente janë në përputhje me direktivat europiane. Madje, masa të ngjashme ka edhe në vende të tjera, si në Itali, ku aktualisht po zhvillohet regjistrimi dhe kushdo që refuzon të përgjigjet ose jep përgjigje të rreme gjobitet.