E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha ende pa mbështetje për Nanon president!

Përreth 40 minuta, dy njerëzit që kanë mbizotëruar më shumë në dy dekadat e fundit në skenën politike shqiptare, kanë diskutuar mbi mënyra dhe modalitetet e zgjedhjes së presidentit të ri të vendit.

Nano i ka shpalosur ish-kundërshtarit të tij, platformën për të ardhur në krye të shtetit. Takimi u zhvillua pa praninë e medieve në selinë e Kryeministrisë, ndërkohë që as pas takimit, Nano nuk foli për mediat ashtu sikurse ka bërë gjatë takimeve të ditëve të fundit.

Me anë të njoftimi, Kryeministria sqaroi se Nano gjatë bisedës me Berishën, ka shprehur bindjen se bashkëpunimi në kuadrin Kushtetues do të ishte i dobishëm për vendin dhe objektivat e tij, si dhe duke evokuar disa nga marrëveshjet e arritura në të shkuarën në zgjidhje të sfidave të vendit.

 “Nga ana tjetër Kryeministri theksoi  se, qëndrimi i bërë tashme publik në mënyrë të përsëritur prej tij ndaj kandidaturës së zotit Nano për President të Republikës, ka lidhje tërësisht me spektrin politik, detyrimet që rrjedhin nga përkatësitë e ndryshme në këtë spektër dhe se ai mbështet dhe do te mbështesë një personalitet të shquar të Partisë Demokratike në postin e Presidentit të Republikës”, thuhet në njoftim.

Më tej, Brisha theksoi se pas kthimit nga Samiti i Çikagos ai do të hapë negociatat me aleatët e tij, pa përjashtuar edhe faktorë të tjerë, i bindur se mazhoranca aktuale i ka të gjitha mundësitë për t’i dhënë vendit Presidentin e ardhshëm të Republikës.

Prej ditësh, Nano ka nisur takime intensive me drejtuesit e partive politike parlamentare për të marrë mbështetjen e tyre për të arritur më të fundmë qëllim në karrierë, atë të postit të Presidentit të Republikës. Por, nëse të majtët kanë shprehur mbështetjen për Nano, të djathtët ende nuk kanë një qëndrim zyrtar. Gjithçka pritet të qartësohet në ditët në vijim dhe veçanërisht pas 21 majit, kohë kur edhe nisin procedurat për zgjedhjen e Presidentit të vendit sipas Kushtetutës.

Një natë më parë, ambasadori amerikan në Tiranë, Aleksandër Arvizu, kërkoi se zgjedhja e kreut të Shtetit të bëhet me votimin e parë dhe me një shumicë prej 84 votash, çka do të thotë shprehimisht se Shtetet e Bashkuara kërkojnë një figurë konsensuale. Të njëjtin qëndrim ka mbështetur edhe komisioneri për Zgjerimin, Stefan Fyle, gjatë një vizite në Tiranë të zhvilluar ditë më parë, kur theksoi se me rëndësi për marrjen e statusit të vendit kandidat është edhe zgjedhja e Presidentit me bashkëpunim midisi palëve. /S.Ll/Start/

                                                                                             2012-05-10 16:05
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›