E Shtunë, 31 Tetor 2026

OKB dënon sulmet në Siri

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Moon, si dhe Këshilli i Sigurimit kanë dënuar shpërthimet vdekjeprurëse në Damask të Sirisë.
Mediat shtetërore thonë se nga sulmet e dyfishta me bomba janë vrarë 55 persona dhe rreth 370të tjerë janë plagosur. Mediat i cilësojnë këto sulme si më vdekjeprurëset në kryeqytet që nga shpërthimi i kryengritjes kundër presidentit Bashar al-Asad, 14 muaj më parë.
Ban Ki Moon u ka bërë thirrje palëve të përmbahen nga dhuna dhe të zbatojnë planin për paqe, përfshirë armëpushimin të propozuar nga ndërmjetësi ndërkombëtar, Kofi Anan.
Shtetet e Bashkuara, Rusia dhe Bashkimi Evropian gjithashtu kanë dënuar sulmet, ndërsa Moska ka akuzuar ato për nxitje të dhunës.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Leon Paneta, tha se SHBA mbetet e shqetësuar për Sirinë dhe përsëriti thirrjet që Asadi të japë dorëheqjen.
“Natyrisht, situata në Siri mbetet një shqetësim i madh. Armëpushimi nuk duket se po bën punë dhe vetë Anani ka shprehur shqetësimin nëse palët janë duke e respektuar atë. Ne vazhdojmë t`i bëjmë thirrje Asadit të japë dorëheqjen. Duhet të ketë ndryshime atje. Ata kanë humbur legjitimitetin nga numri i madh i vdekjeve që kanë ndodhur në Siri”, ka thënë Paneta.
Askush nuk e ka marrë përgjegjësinë për sulmet e së enjtes, por edhe qeveria, edhe opozita fajësojnë njëra-tjetrën.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›