E Diel, 1 Nëntor 2026

Kushtetuesja nis gjykimin për Referendumin

 

Gjykata Kushtetuese nisi dje shqyrtimin e kërkesës së Grupit Nismëtar për Zhvillimin e Referendumit, me objekt "Shfuqizimi i vendimit nr. 47, dt. 05.06.2008 të KQZ dhe interpretimi i nenit 50, pika 1 dhe nenit 177 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë". Grupi Nismëtar për Zhvillimin e referendumit solli para gjykatës argumente që e legjitimonin për të sjellë kërkesë në Gjykatën Kushtetuese pasi, sipas tyre, ata vijnë në këtë gjykatë si një grup individësh, mbështetur në nenin 131/f dhe 134/g të Kushtetutës. Ata pretenduan se KQZ-ja iu ka hequr atyre të drejtën për të zhvilluar një proces ligjor, siç është referendumi, në mënyrë të padrejtë. Për ta, KQZ-ja nuk duhet t'i hynte procesit në brendësi, pasi Kushtetuta ia ka dhënë këtë të drejtë GJK-së dhe Presidentit. Kryetari i KQZ-së, Çlirim Gjata, sqaroi se KQZ-ja vendosi se, "kërkesa nuk ishte objekt i gjykimit të saj". Gjata sqaroi para trupës së lartë të gjyqtarëve kushtetues se KQZ-ja në vendimmarrjen e saj ishte marrë vetëm me proceduarat dhe jo me thelbin e referendumit, e quajti të drejtë vendimin e KQZ-së dhe kërkoi rrëzimin e kërkesës. Të njëjtën gjë kërkoi para Gjykatës Kushtetuese dhe përfaqësuesi i Kuvendit, Lelçaj, por ai theksoi më shumë problemin e legjitimitetit dhe të proceduarve të ankimit në këtë gjykatë. Sipas Lelçajt, grupi nuk ishte as organizatë dhe as parti politike, dhe as individ, nga ato që përcaktohen në nenin 131 të Kushtetutës. Kreu i Kushtetueses, Vladimir Kristo, premtoi se vendimi do të jepet në kohën më optimale të mundshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›