E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Grante nga qeveria për pushtetin vendor

Në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Kryeministri Berisha theksoi se reformat janë alfa dhe omega e veprimtarisë dhe programit qeverisës.

 "Me ligjet që keni votuar javën e kaluar në parlament ju keni sjellë një kontribut të madh në mënyrë të veçantë në përmirësimin e klimës së binzesit. Është një arritje e madhe vendosja e parimit "heshtja është miratim" për TVSH-në për biznesin, si dhe një seri ligjesh të tjera në të cilat mbrohet biznesi nga rëndimet e pamerituara të autoriteteve shtetërore", tha Kryeministri Berisha.

Kryeministri garantoi të gjithë drejtuesit e bashkive dhe komunave se "qeveria është e gatshme që mbi bazën e projekteve, të financojë qindarkë për qindarkë, të gjitha shumat që ata mund të pretendojnë se i'u ulën për shkak të vendosjes së ligjit për taksat vendore". 

Berisha siguroi gjithashtu se "në mënyrë absolute, kjo qeveri nuk do të japë asnjë qindarkë për fryrjen e administratës, ashtu siç ka ndodhur deri tani". "Nëse ndokush e konsideron administratën si ndërmarrje punësimi, ky është koncepti më i gabuar dhe më i rëndë për taksapaguesit shqiptarë. Administrata qendrore dhe lokale nuk është dhe nuk mund të jetë ndërmarrje punësimi", tha Kryeministri Berisha.

Në këtë kontekst, Kreu i Qeverisë informoi se "në buxhetin e ardhshëm do të organizohet Fondi i Zhvillimit të Rajoneve i cili në mënyrën më transparente do të përfshijë të gjitha investimet që do të bëhen nga buxheti i shtetit në qarqe, bashki dhe komuna".

                                                                                             

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›