E Shtunë, 31 Tetor 2026

Parlamenti është vendi ku do të diskutojmë

05/10/2009  Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm Ilir Meta flet për kufijtë ujorë me Greqinë

“Të gjithë ata që kanë mendime të ndryshme mund t’i paraqesin në Parlament”

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme Ilir Meta ka deklaruar se projektligji që ratifikon marrëveshjen me Republikën e Greqisë për ndarjen kufitare ujore i takon Parlamentit. Meta, njëherësh kryetar i Lëvizjes Socialiste për Integrim, pjesë e mazhorancës qeverisëse, ka nënvizuar se pikërisht në sallën e Parlamentit ky projektligj do t’u nënshtrohet diskutimeve. “Kjo është një çështje që i takon Parlamentit dhe të gjithë ata që kanë mendime të ndryshme mund t’i paraqesin në Parlament”, - deklaroi ai. Qëndrimi i Metës vjen ndërkohë që në një nga seancat e afërta plenare pritet të shtrohet për diskutim drafti ligjor që do të ratifikojë këtë marrëveshje. Marrëveshja për vendosjen një herë e përgjithmonë të kufijve ujorë detarë midis Greqisë dhe Shqipërisë për bregdetin e Jonit solli në pranverën e këtij viti një debat të ashpër mes opozitës dhe mazhorancës parlamentare të legjislaturës së kaluar. Vetë LSI-ja gjatë asaj periudhe, kur ishte pjesë e opozitës, nuk u shpreh hapur kundër kësaj marrëveshjeje, pavarësisht se ishte skeptike ndaj marrëveshjes. Në fillim të muajit prill në medie u publikua marrëveshja për ndarjen kufitare ujore mes vendit tonë dhe shtetit helen. Opozita ngriti shqetësimin se Shqipëria po lëshon nga pjesa e saj, duke ia dhënë Greqisë. Mirëpo pretendimet e opozitës u hodhën poshtë nga përfaqësues të Ministrisë së Jashtme dhe asaj të Mbrojtjes. Sipas tyre, marrëveshja e nënshkruar mes qeverisë shqiptare dhe asaj greke mbi ndarjen e hapësirës detare mes dy vendeve nuk cenon aspak sovranitetin e vendit apo interesat e tij. Pak ditë më parë Komisioni parlamentar i Ligjeve ka miratuar në unanimitet të plotë të anëtarëve të tij të djathtë marrëveshjen për përcaktimin e koordinatave të reja ujore me Greqinë. Tashmë marrëveshja do të kalojë në Parlament që të marrë fuqinë e zbatimit dhe është ky institucioni që bashkë me specialistët do të gjykojë për saktësinë e ndarjes dhe nëse është zbatuar Konventa Evropiane për baraslargësinë që duhet të ketë kufiri ujor nga brigjet respektivë të shteteve. Ekspertët e Ministrisë së Jashtme janë shprehur se kjo marrëveshjeje është e njëjtë në thelb me atë që Shqipëria ka nënshkruar me Italinë në vitin 1992.

Ndarja e kufijve detarë

Sipas marrëveshjes, kufiri ujor është ndarë në masë të barabartë për të dyja shtetet me rreth 150 pika ndarëse (nga Korfuzi deri në Vlorë).

Kufiri detar ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë do të caktohet në përputhje me parimin e baraslargësisë.

Në mënyrë më specifike, vetëdija e delimitimit do të jetë vija e mesme çdo pikë e së cilës është e baraslarguar nga pikat më të afërta të vijës bazë (si kontinentale, ashtu dhe ishullore), nga e cila matet gjerësia e ujërave territoriale detare", - thuhet në nenin 1 të marrëveshjes ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë për delimitimin e zonave të tyre përkatëse të shelfit kontinental dhe të zonave të tjera detare, që u përkasin në bazë të së drejtës ndërkombëtare.

Palët angazhohen të marrin përsipër për të zgjidhur në rrugë diplomatike çdo mosmarrëveshje që mund të lindë në lidhje me interpretimin apo zbatimin e saj.

Baza juridike

Baza juridike në të drejtën ndërkombëtare për përcaktimin e shelfit kontinental gjendet në Konventën për të Drejtën e Detit (e njohur ndryshe si Konventa e Montego Bay, sipas emrit të vendit ku u përfundua në vitin 1982), e cila ka hyrë në fuqi më 16 nëntor 1994.

Greqia është palë që prej 21 korrikut 1995, ndërsa Shqipëria që nga data 23 qershor 2003. Duke qenë se të dyja vendet janë palë në këtë traktat ndërkombëtar, sipas nenit 83 të Konventës ato duhet “të përcaktojë me marrëveshje mbi bazat e ligjit ndërkombëtar kufirin e shelfit kontinental”.

Shelfi kontinental përfshin shtratin e detit dhe tabanin e zonës nënujore që shtrihet përtej detit të tij territorial përgjatë zgjatimit natyral të territorit të tij tokësor deri në kufirin më të largët të kufirit kontinental, ose në një distancë prej 200 milje detare nga vijat bazë, nga të cilat është matur gjerësia e detit territorial, kur kufiri kontinental nuk shtrihet deri në këtë distancë. Shelfi përfshin zgjatjen nënujore të masës së tokës dhe përbëhet nga fundi i detit, uljet dhe ngritjet e tij.

Parimi bazë i përdorur e që është edhe metoda më e përhapur në përfundimin e marrëveshjeve të tilla është ai i bashkëlargësisë, d.m.th. përcaktimi i një vije ndarëse me largësi të njëjtë nga të gjitha pikat e vijës bazë të shteteve bregdetare.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›