E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Grupi i puçistëve vunë vulën e zezë në imazhin e Shqipërisë

Nga Express më 31 janar 2011 në ora 12:56

Në Tiranë është mbledhur Komiteti Ndërministror i Integrimit për të shqyrtuar 12 kërkesat e Komisionit Europian për procesin e integrimit europian të Shqipërisë, e megjithatë kryeministri Sali Berisha pasi lajmëroi arsyen e mbledhjes, i’u rikthye sërish demonstratës së dhunshme të 21 Janarit të ndërmarrë nga opozita dhe dëmit që solli ajo në integrimin evropian.

“Duhet të jemi të qartë se grushti i shtetit që dështoi i ka dhënë një goditje të padiskutueshme projektit më madhor të kombit shqiptar, projektit të integrimit në Europë. Kjo ishte goditje e fortë pasi që nga vitet ‘70 e gjeri sot, nuk ka ndodhur asnjë grusht shteti në vendet që kanë aspiruar integrimin evropian”, është shprehur kryeministri Berisha duke bërë një shpjegim edhe gjuhësor të termit Grusht Shteti për të gjithë ata që nuk e konsiderojnë si të tillë atë çfarë ndodhi për rreth 5 orë në selinë e kryeministrisë.

Kreu i qeverisë sërish i’u kthye skenarit të përgatitur duke thënë se “ Edvin Kristaq Rama, dy ministrat e diktaturës komuniste Gramoz Ruçi dhe Skënder Gjinushi, ndërmorën përpjekje kriminale të turpshme dhe të paimagjinueshme të puçit të marrjes së pushtetit me dhunë me banditë, kriminelë me një skenar të parapërgatitur. Sulmuan qeverinë legjitime të vendit dhe donin të pushtonin këtë ndërtesë. Pikërisht këtu ku ne po bëjmë këtë mbledhje, do të uleshin banditë, njerëz te hurit dhe të drurit e të kallashit. Në vend të zotit Lulzim Basha ( ministër i Brendshëm ) do të ulej Tom Doshi, në vend të Ministrit Nishani do të ulej Taku ( Spartak Ngjela). Ky i fundit kishte biseduar dhe kishte rënë dakort më Ramën për të krye reformën e thellë në drejtësi. Këta puçistë, i kanë bërë dëm vendit në sy të botës. Ata e listojnë Shqipërinë në vendet ku tentohen grushte shteti. Ata i vendosën Shqipërisë vulën e zezë në imazhin evropian. Por ne do t’a kapërcejmë këtë. Ndërkombëtarët e panë vetë tentativën e përpjekjes së përmbysjes me dhunë të kësaj qeverie legjitime, por e panë nga ana tjetër, forcën e jashtëzakonshme të ligjit dhe institucioneve shqiptare. Panë se e drejta e qytetarëve shqiptarë në çdo cep të këtij vendi u respektua, madje edhe afër kësaj ndërtese. Panë që përpjekja për pushtimin e institucioneve morën përgjigje. Policia dhe Garda i dëshmoi shqiptarëve dhe mbarë botës, pakursyeshmërinë në mbrojtjë të ligjit duke vërtetuar se ku vend ka shtet, ka ligj, dhe mbi to nuk kalon dot askush”. /abcnews/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›