E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qipro njeh Palestinën

Nga Express më 31 janar 2011 në ora 13:30

Qiproja ka njohur shtetin e Palestinës në kufijtë ekzistues deri në vitin 1967, pak kohë pasi që tetë shtete nga Amerika Jugore e bënë të njëjtën gjë.

Presidenti i Qipros, Dimitris Christofias, i dërgoi një letër presidentit palestinez, Mahmoud Abbas, duke e njoftuar atë për këtë vendim të qeverisë së tij, njoftoi agjencia palestineze e lajmeve, WAFA.

Në letër përmenden lidhjet e thella historike mes Qipros dhe Palestinës dhe shprehet shpresa se do të gjendet një marrëveshje paqësore, e cila do të sigurojë ekzistencën e shtetit palestinez, me Jerusalemin Lindor si kryeqytet.

Javën e kaluar, Paraguai ishte shteti i radhës, i cili njohu shtetin e Palestinës në kufijtë ekzistues deri në vitin 1967, kur Izraeli pushtoi Jerusalemin Lindor dhe Rripin e Gazës.

Gjatë disa muajve të fundit, shteti i Palestinës është njohur nga Brazili, Ekuadori, Bolivia, Uruguaji, Kili dhe Peru.

Shtetet e Evropës janë më pak të prira që të shprehen për njohje të njëanshme, por ato kanë filluar t’i japin më shumë rëndësi misioneve të tyre diplomatike.

Franca, Spanja dhe Irlanda tashmë kanë kumtuar se misionet e tyre diplomatike do të shndërrohen në ambasada.

Izraeli vlerëson se këtë së shpejti do ta bëjnë edhe Britania dhe Gjermania.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›