Berisha: Grushti i shtetit, dëmtoi integrimin

Kryeministri Berisha ka deklaruar se ngjarjet e 21 janarit i kanë dhënë një goditje të fortë procesit të integrimit të vendit në Bashkimin Europian.
Në mbledhjen e Komitetit ndërministror të integrimit, kryeministri Berisha duke iu referuar sërish demonstratës së dhunshme të 21 janarit theksoi se grushti i shtetit ka ndikuar negativisht në imazhin e vendit.
"Këta puçistë i kanë bërëë vendit në dëm në sytë e mbarë botës shumë të rëndë. Ata e listojnë Shqipërinë në vendin ku tentohen grushte shteti dhe kjo është një vulë e zezë në imazhin e këtij vendi por që ne me përpjekje do të bëjmë çdo gjë ta kapërcejmë” theksoi Berisha.
Gjithashtu kreu i qeverisë theksoi se 21 janari dëshmoi forcën e ligjit për të gjithë ata të cilët me një tentativë të shëmtuar kriminale donin të përmbysni qeverinë me dhunë.
“Nga ana tjetër kjo mbetet një datë e zezë në historinë kombëtare, kur një grup puçistësh bënë gjithçka për të përmbysur një qeveri legjitime që ka anëtarësuar Shqipërinë në NATO, hoqi vizat për qytetarët shqiptarë një arritje madhore për vendin. 21 janari dëshmoi forcën e ligjit dhe funksionimin e shtetit ligjor në këtë vend, dëshmoi se një pushtet nuk mund të rrëzohet kurrë”, theksoi më tej Berisha.
Gjithashtu kryeministri Berisha u ndal edhe në reformat që duhen kryer për zgjedhjeve dhe për fushatat elektorale në kuadër të rekomandimeve të Bashkimit Europain.
“Garantojë shqiptarët dhe partnerët ndërkombëtarë se zgjedhjet e 8 majit do të jenë të lira dhe demokratike”, theksoi Berisha duke shtuar se është me rëndësi bashkëpunimi i opozitës për zgjedhjet vendore.
“Oferta jonë ndaj opozitës është që të zbatojmë çdo amendament, t`ja dërgojmë OSBE, ODIHR-it dhe Komisionit të Venecias”, tha Berisha.