Këshilli i ministrave të jashtëm të BE-së diskuton për Shqipërinë
Krerët e diplomacisë së Bashkimit Europian do të diskutojnë sot në Bruksel ngjarjet e dy javëve të fundit në Shqipëri. Axhenda e Këshillit të Ministrave të Jashtëm të BE-së përmban edhe çështje e Shqipërisë megjithëse në dosjet paraprake nuk bëhen të ditura detajet konkrete mbi të cilat do të diskutohet problemet e Shqipërisë.
Mbledhja pritet të nisë në orën 15.00 dhe debatet do të përqëndrohet mbi shtete ku kohët e fundit ka pasur protesta të fuqishme qytetare si Tunizia, Sudani por edhe Shqipëria. Mbledhja do të drejtohet nga përfaqësuesja e unionit për politikën e jashtme baronesha Catherine Ashton. Javën e parë në Tiranë mbërriti i dërguari i BE Miroslav Lajçak dhe pritet që deklarata e Ashton të ketë në përmbajtje edhe situatën e krijura në Shqipëri pas ngjarjeve të 21 janarit në Tiranë, ku në demonstratën e organizuar nga opozita mbetën të vdekur 3 protestues dhe të plagosur shumë të tjerë përfshirë dhe uniformat e policisë.
Baronesha Ashton ka paralajmëruar rekomandimet për krizën në Shqipëri në fund të debatit mes ministrave. Në axhendën e publikuar nga Këshilli i Ministrave të Jashtëm të BE-së nuk jepen hollësi lidhur me atë çfarë do të diskutohet, por Shqipëria është ndër prioritetet e axhendës, ndërsa në dokument paralajmërohet se mund të ketë edhe përfundime apo rekomandime të Këshillit lidhur me këtë.
Kriza shqiptare ka shqetësuar prej më shumë se një jave Bashkimin Europian dhe organizmat e tij. Ndërkohë në orën 18 është parashikuar edhe një konferencë për shtyp e baroneshës Ashton e cila pritet gjithashtu të japë detaje mbi atë çfarë është diskutuar edhe konkluduar për Shqipërinë.
Komuniteti ndërkombëtar si ai europain dhe SHBA janë shprehur mjaft të shqetësura për situatën e krijuar në Shqipëri pas ngjarjeve të 21 janarit dhe kanë kërkuar zgjidhjen e saj nëpërmjet dialogut mes palëve, një veprim i cili në Tiranën zyrtare duket se është ende larg për të mos thënë i pamundur.