E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Hapja e ambasadësi izraelite në Tiranë, vlerësim i veçantë

22/11/2011  Kreu i qeverisë shqiptare takime me drejtues të lartë të Jerusalemit zyrtar

“Zgjedhja e Tiranës është një hap shumë i rëndësishëm për bashkëpunimin mes dy vendeve”

Bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Izraelit në fusha të tilla si ajo e bujqësisë, arsimit, turizmit, energjetikës, teknologjisë së informacionit ishte një ndër çështje kryesore në takimet e zhvilluara nga kryeministri Sali Berisha në Jerusalemin zyrtar. Njëkohësisht po në këto takime kreu i ekzekutivit shqiptar mori garancinë e drejtuesve të lartë të këtij shteti për ngritjen e ambasadës së Izraelit në Tiranë.

Axhenda

Ndër takimet e para të kryeministrit Berisha ishte ai me presidentin e Izraelit Shimon Peres. Zyra e shtypit pranë ekzekutivit shqiptar bëri me dije se gjatë bisedës mes tyre kreu i shtetit të izraelit dëshmoi një interes të veçantë për marrëdhëniet mes dy vendeve. Madje, presidenti Peres premtoi se do të inkurajojë qeverinë izraelite për intensifikimin e marrëdhënieve në fushën ekonomike, në fushën e arsimit, në bujqësi dhe në të gjitha fushat me interes të përbashkët. Nga ana e tij kryeministri Berisha e ftoi presidentin e Izraelit të vizitojë Shqipërinë, ftesë e cila u prit me kënaqësi të veçantë prej këtij të fundit. Ndërkohë që në vijim të kësaj vizite kreu i ekzekutivit zhvilloi një takim me zëvendëskryeministrin e Izraelit dhe monistër i Punëve të Jashtme Avigdor Lieberman. Në këtë bisedë zoti Lieberman dha lajmin shumë të mirë të vendimit që ka marrë ai dhe qeveria e tij për të hapur vitin që vjen ambasadën në Tiranë. “Në shumë vende që ishin bërë kërkesat dhe ishin shqyrtuar Tirana ishte nga ato të paktat kryeqytete ku qeveria e Izraelit ka vendosur të hapë ambasadën, çka përbën një hap shumë të rëndësishëm në zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve tona”, - u shpreh kreu i qeverisë shqiptare.

Vizita

Kryeministri Sali Berishai ndodhet në Jerusalem (Izrael) në një vizitë zyrtare me ftesë të kryeministrit të vendit Benjamin Netaniahu. Në vlerësimin e tij takimet dhe vizita në tërësi kanë si qëllim kryesor konsolidimin e marrëdhënieve miqësore mes këtyre dy vendeve. Për këtë arsye kryeministri Berisha bëri me dije se krahas bashkëpunimit politik një rëndësi të veçantë ka dhe bashkëpunimi ekonomik në të gjitha fushat. Gjithashtu kryeministri Berisha e vlerësoi shumë mbresëlënëse vizitën në qytetin e vjetër të Jerusalemit, në tempullin e malit të Zionit, ku ndodhet Kisha e Varrimit të Shenjtë, një prej vendeve më të shenjta të botës së krishterë. Kryeministri Berisha, sipas traditës, la një mesazh te Muri i Lotëve dhe bëri një shënim përkujtimor.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›