E Martë, 3 Nëntor 2026

Berisha: Havzi Nela – gjeni i kurajës njerëzore, simbol në historinë e mendimit të lirë!

Kryetari i PD, Sali Berisha, bëri të premten vlerësimet më të larta për figurën e Havzi Nelës, poetit desident i cili 35 vjet më parë, më 10 gusht 1988, u ekzekutua me varje nga diktatura komuniste. 

Në takimin pëkujtimor të organizuar nga grupimi i Rithemelimit në Partinë Demokratike, zoti Berisha bëri një vlerësim shumëdimensional të poetit martir. 

“Havzi Nela ishte një gjeni i kurajës njerëzore. Në udhëtimin e një intelektuali mes konformizmit dhe qëndresës ai zgjodhi qëndresën dhe qëndroi i pamposhtur në çdo rrethanë” tha zoti Berisha. 

Elegjia e tij, “Ejani të vajtojmë Shqipërinë” është një nga elegjitë më të bukura të letrave tona, tha ai. 

Lavdije Nela, bashkëshortja e poetit  tha se problemet ende nuk kanë reshtur për familjen e saj pavarësisht këtyre tri dekadave demokraci. Ajo u shpreh për mungesë mbështetjeje tek dhënia e drejtësisë ndërsa tha se në krye të shtetit, qeverisë, në parlament, vazhdojnë të qeverisin bijtë e bllokmenëve të dikurshëm. 

Folës të ndryshëm në takim çmuan lart figurën e poetit disident, duke e konsideruar si një simbol frymëzimi për brezin e ri.

/ rtsh.al /

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›