Berisha: Heqja e përmendores, dëshmi e albanofobisë së Beogradit

Qeveria shqiptare dënon vandalizmat serbe në Preshevë
Kryeministri Berisha në Facebook: “Ata që shkulën monumentin e heronjve të Preshevës duhet ta dinë se, ‘Të rënët tanë nuk vdesin kurrë!’”
Shqipëria e cilëson si një tjetër dëshmi të albanofobisë së Beogradit, demonstrimin e djeshëm të dhunës serbe, ndaj përmendores së dëshmorëve të luftës në Luginën e Preshevës. Në një reagim për mediat, Tirana zyrtare deklaron se, përmes këtij akti Beogradi ka shkelur ligjet dhe konventat ndërkombëtare. Gjithashtu qeveria e Shqipërisë garanton të gjithë mbështetjen ndaj autoriteteve vendore dhe qytetarëve shqiptarë të Luginës, për liritë dhe të drejtat njerëzore, si dhe u bën thirrje të ruajnë qetësinë dhe të mos bien pre e provokimeve të ulëta serbe
Qeveria Shqiptare dënon aktin e largimit me autoblinda, mitraloza dhe terror, nga autoritetet e Beogradit, të përmendores së heronjve të kombit shqiptar në Luginën e Preshevës, që ranë për t’u bërë të pavdekshëm në luftë për liri e dinjitet njerëzor dhe kombëtar, kundër regjimit barbar të Millosheviçit. Përmes një deklarate për shtyp, bëhet e ditur se “qeveria e Shqipërisë e konsideron këtë akt një dëshmi tjetër të albanofobisë së autoriteteve zyrtare të Beogradit, që dëshmon qartë se trashëgimia raciste antishqiptare e Slobodan Millosheviçit është e gjallë dhe dominon politikën zyrtare të Beogradit”. “Me këtë akt të rëndë, autoritetet e Beogradit kanë shkelur haptas ligjet dhe konventat ndërkombëtare, si Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut dhe Konventën Evropiane të të Drejtave të Minoriteteve të Këshillit të Evropës, si dhe Kartën Evropiane të Autonomisë Rajonale dhe Lokale të Kongresit të Autoriteteve Lokale të Evropës, të cilat Serbia i ka firmosur dhe është e detyruar t’i zbatojë. Qeveria shqiptare vlerëson dhe mbështet plotësisht qëndrimin e matur të autoriteteve vendore dhe qytetarëve shqiptarë të Luginës së Preshevës ndaj terrorit serb dhe i siguron ata se Shqipëria ka mbështetur dhe do mbështesë, pa asnjë lëkundje, liritë dhe të drejtat njerëzore dhe kombëtare të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, të cilat, nuk mund të kenë, në asnjë rast, standarde të tjera nga ato që kërkohen nga Beogradi për serbët në Mitrovicën e Veriut”, thuhet në reagimin zyrtar të qeverisë shqiptare. Gjithashtu në këtë reagim, qeveria e Shqipërisë u bën thirrje institucioneve ndërkombëtare të ndalin stuhinë e albanofobisë, që po shfaqet rëndom në rajon, si një faktor që kërcënon paqen dhe stabilitetin e tij. Ndërkohë, krahas deklaratës së qeverisë, kryeministri Sali Berisha në rrjetin social “Facebook” i mëshoi faktit se “veprimi i Beogradit dëshmon dhe një herë se bashkimi i kombit shqiptar është vendimtar për të ardhmen e tij, por dhe për çlirimin e fqinjëve tanë nga albanofobia dhe pasiguria që ndiejnë ata që kanë pushtuar trojet e shqiptarëve dhe shërbehen me praktika raciste dhe fobie ndaj tyre”. “Duke iu shprehur mbështetjen e plotë qytetarëve dhe udhëheqësve politike të Preshevës, sërish u bej thirrje të shmangin provokimet, të ruajnë gjakftohtësinë ndaj terrorit policesk të Beogradit dhe i garantoj se Shqipëria do bëjë gjithçka në të gjitha institucionet ndërkombëtare për t’i dhënë fund terrorit policor ndaj shqiptarëve që jetojnë në trojet e tyre etnike në Luginën e Preshevës. Ata që shkulën monumentin e heronjve të Preshevës duhet ta dinë se, ‘Të rënët tanë nuk vdesin kurrë!’”, shkruan në faqen e tij zyrtare në rrjetin social, Facebook kryeministri Sali Berisha.
Qirinj dhe lule në vendin ku ndodhej lapidari i UÇPMB-së
Në kohën kur në këshillin komunal të Preshevës, zhvillohej mbledhja e liderëve politik, qytetarë të shumtë u mblodhën në qendër të qytetit. Ata ndezën qirinj dhe vendosën kurora me lule, ndërsa rrethuan me një shirit të kuq, vendin ku më parë ishte lapidari i dëshmorëve të UÇPMB-së.
Kryeparlamentarja Jozefina Topalli
“Heqja e përmendores së heronjve provokim edhe ndaj Europës”
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli dënon heqjen e përmendores së heronjve të kombit shqiptar në Luginën e Preshevës. Ajo e cilëson veprimin e autoriteteve të Beogradit si akt primitiv të dënueshëm dhe armiqësor ndaj shqiptarëve. Gjithashtu, kryetarja e Kuvendit thotë se, urrejtja shekullore kundër shqiptarëve është edhe provokim ndaj Europës. “Qeveria Serbe, sot dëshmoi të njëjtën urrejtje të shekullit e shekujve të kaluar. Akti racist i sotëm është primitiv, i dënueshëm, armiqësor ndaj shqiptarëve, por edhe provokim ndaj Europës dhe dëmtim i klimës e vullnetit për dialog. Qeveria serbe gabon nëse mendon se kjo është rruga dhe kështu do bëjnë dialogun”, thuhet në reagimin zyrtar të kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli.
Ministria e Punëve të Jashtme e Shqipërisë
“Komuniteti ndërkombëtar të reagojë në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve”
Ministria e Punëve të Jashtme ka ndjekur me shqetësim zhvillimet në Luginën e Preshevës. Lajmi për heqjen e monumentit të dëshmorëve nga xhandarmeria serbe, në mënyrë të njëanshme, dhe duke injoruar dialogun e nisur mes autoriteteve lokale dhe qendrore nën kujdesin e faktorit ndërkombëtar është një tjetër dëshmi e një politike diskriminuese dhe agresive e autoriteteve të Beogradit kundrejt pakicës shqiptare në Serbinë e Jugut. MPJ e dënon ashpër këtë akt dhe i bën thirrje faktorit ndërkombëtar, të reagojë menjëherë në mbrojtje të të drejtave të pakicës shqiptare në Luginën e Preshevës. MPJ u bën dhe një herë thirrje autoriteteve lokale në Preshevë dhe popullsisë atje të përmbahen kundrejt këtyre provokimeve në vazhdimësi, duke i mbështetur plotësisht ata në kauzën e tyre, se askush nuk do të mund të mohojë a tjetërsojë luftën e drejtë për lirinë dhe të drejtat njerëzore që u bë ndaj regjimit antishqiptar serb.