E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ilir Meta i telefonon kryekomunarit Ragmi Mustafa: “Urtësia dhe vetëpërmbajtja do e çojë para kauzën tuaj”

21-01-2013 / Gazeta 55

Klasa politike e Tiranës: “Në Beograd qeverisin ata që zhytën Ballkanin në gjakderdhje”

Dhunimi i përmendores së dëshmorëve të luftës në Preshevë nga policia serbe, sjell reagimin e ashpër të klasës politike të Shqipërisë. Kryetari i LSI-së, Ilir Meta zhvilloi një bisedë telefonike me kryetarin e komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa të cilit i ka shprehur mbështetjen e Shqipërisë, për të garantimin e të drejtave të shqiptarëve të Luginës. “Jemi pranë popullit të Preshevës në këto momente lëndimi. Veprimet e njëanshme nuk i shërbejnë paqes. Urtësia dhe vetëpërmbajtja do e çojë para kauzën tuaj”, ka shprehur Ilir Meta kryetarit të komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa. Ndërkohë, përmes një deklarate për mediat, Lëvizja Socialiste për Integrim, e ka konsideruar heqjen e lapidarit të dëshmorëve si një provokim për shqiptarët, ndërsa ftoi popullsinë e Luginës së Preshevës, që tu shmangen këtyre provokimeve. LSI i ka bërë thirrje Beogradit që të mos përdorë xhandarë, por të instalojë dialogun më shqiptarët e Luginës së Preshevës. LSI vlerëson se dëshmorët e UÇPMB-së janë dëshmorë të Kombit shqiptar. LSI gjykon se kërcënimi për kufizimin e këtyre të drejtave, përbën një sinjal negativ për integrimin evropian të Serbisë, ndërkohë që kushtëzimi i vazhdimit të bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë me heqjen e monumentit në Preshevë, nuk i shërben aspak klimës së fqinjësisë së mirë dhe mbarëvajtjes së paqes dhe stabilitetit në rajonin tonë.
Ka reaguar edhe deputeti i Partisë Socialiste, ish kryeministri Pandeli Majko, i cili akuzon ashpër autoritetet serbe, për dhunë ndaj shqiptarëve të Luginës. Në vlerësimin e ligjvënësit socialist, ky akt i Serbisë as më shumë e as më pak vërteton se në Beograd qeverisin po ata që zhytën Ballkanin në gjakderdhjen. “Ky akt kërkon t’i rivrasë ata që u vranë nga regjimi i Millosheviçit. Vërteton se në Beograd qeverisin po ata që zhytën Ballkanin në gjakderdhjen e ndarjes së ish-Jugosllavisë. Hoqën një ‘copë gur’, por ringritën historinë që shkruan ata djem që dhanë jetën për popullin e tyre. Kush mund të vendosë një tufë me lule te vendi i lapidarit të hequr do ti isha mirënjohës. Lavdi dëshmorëve të kombit! Ata ishin edhe dëshmorët e mi!”, ka shkruar Majko në rrjetin social “Facebook”. Po kështu dhe Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet dhe Klubi i Patriotëve të Rinj dënojnë ashpër heqjen e memorialit të UÇPMB-së nga qendra e Preshevës. Sipas kësaj force politike, Me këtë veprim, Serbia tregoi dhe një herë që nuk ka hequr dorë nga “doktrina millosheviçiane”, e cila në themel të saj ka dhunimin e shqiptarëve. “Të frikësuar nga reagimi i paralajmëruar i shqiptarëve të Luginës së Preshevës por edhe më gjerë, Beogradi dërgoi me qindra forca xhandarmërie, vetëm e vetëm për të hequr një memorial”, thuhet në deklaratën e PDIU. Pjesë e reagimeve janë bërë dhe Partia “Lëvizja e Legalitetit” si dhe trashëgimtari i fronit mbretëror, Princi Leka II.

 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›