Berisha: Heqja e vizave brenda këtij viti
Kryeministri Sali Berisha premton liberalizimin e vizave brenda vitit të parë të mandatit të dytë të Qeverisë që ai drejton. Në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së, kreu i maxhorancës dha garanci të plotë në arritjen e këtij objektivi madhor për shqiptarët. "Dua të garantoj shqiptarët se brenda vitit të parë të këtij mandati, vendimi për heqjen e vizave për Shqipërinë do të merret dhe se kjo qeveri dhe kjo maxhorancë do të bëjnë çdo përpjekje për ta bërë të mundur këtë vendim. çështja kryesore në axhendën e Qeverisë dhe të Parlamentit është plotësimi i kërkesave të udhërrëfyesit për heqjen e vizave", tha kryeministri. Sipas tij, progresi është i madh, është përfunduar tërësisht sistemi i kontrollit të integruar të kufijve, por edhe sistemi i të dhënave për krimin e kriminalitetin në të gjitha qarqet e vendit dhe janë tashmë të lidhur me qendrën. Janë plotësuar dhe janë në plotësim e sipër një seri kushtesh që kanë të bëjnë me plotësimin e kërkesave të udhërrëfyesit. "Janë një seri vendimesh dhe ligjesh që do të miratohen gjatë 2-3 javëve që vijnë, për t'i dhënë përgjigjet më përfundimtare këtij procesi. Ligji për Moratoriumin e skafeve, që ndodhet në Parlament, pret firmën tuaj, votën tuaj, për të dërguar mesazhin më të shkëlqyer të vendosmërisë së autoriteteve shqiptare për luftën me zero tolerancë ndaj krimit të organizuar. Ligji për konfiskimin e aseteve të krimit të organizuar, hyn tani në fuqi. Ndërkohë, do të ngrihet një komitet i veçantë për të mbikëqyrur zbatimin e këtij ligji, zbatim i cili është jetik e vendimtar për çmontimin e mafies, konsolidimin e paqes, sigurisë e stabilitetit në vend", deklaroi Berisha. Sipas tij, përpjekje të mëdha po bëhen për të çmontuar, me forcën e ligjit, pasuritë e mëdha të përvetësuar nga pushtetarët e të gjitha niveleve, gjatë këtyre 18 viteve, të cilët kanë bërë batërdinë mbi pronat publike të këtij vendi. "Unë ju kam deklaruar se Mali i Dajtit është më i vogël sesa falsifikimet e përbindshme që kanë bërë në zonat më turistike, më të çmuara, më të kushtueshme të vendit. Një qytetar nga Vlora më dërgoi një mesazh. Agjencia përkatëse mori kontakt me të dhe ai dorëzoi dokumente që faktojnë katërci-përisht mënyrën e grabitjes dhe plaçkitjes së rreth 500 mijë metra katrorë sipërfaqe, në pjesën më të bukur të bregut të këtij vendi. Dua t'i shpreh mirënjohjen këtij qytetari dhe ta garantoj atë se qeveria do të vendosë për shpërblimin e tij", theksoi Berisha.