E Shtunë, 31 Tetor 2026

Duhet dialog, jo pazar politik

Dritan Ylli Lidershipi aktual i Partisë Socialiste, partia që aktualisht udhëheq opozitën në Shqipëri, i trysnuar nga padurimi i vetëabsurdit disamujor, po fillon të tregojë qëllimin e vërtetë të ngërçit politik artificial, të krijuar që nga përfundimi i procesit zgjedhor të 28 qershorit të vitit të kaluar. Bataku politik ku e ka futur Rama, Partinë Socialiste, duke e mbajtur larg institucioneve kushtetuese, po merr trajtat e vërtetësisë, duke prevaluar mbi një re mashtruese, gjoja të një krize, që do të marrë fund me vendosjen e demokracisë në Shqipëri. Por, vendosja e demokracisë do të thotë mbi të gjitha respektim të vlerave që burojnë nga ajo dhe mbi të gjitha sjellje rigoroze ndaj shtetit ligjor dhe Kushtetutës. Në kundërshtim me këto vlera, Rama po e mban PS jashtë Kuvendit, duke tentuar të nxisë krijimin e një percepsioni publik dhe ndërkombëtar të krizës politike, me bindjen se përmes kësaj rruge do të detyrojë maxhorancën qeverisëse, që në këmbim të përfundimit të bojkotit, të përfitojë pushtet “pazaresh”, që bien ndesh me Kushtetutën dhe veçanërisht me disa ndryshime kushtetuese të inicuara nga vetë lidershipi i PS. Fjala vjen, ditët e fundit personazhe të politikës, të gjendur afër PS, por jo në strukturat e saj, kanë hedhur idenë se dialogu pozitë –opozitë duhet të kushtëzohet me marrjen e postit të Presidentit, të kreut të SHISH dhe të Prokurorit të Përgjithshëm nga opozita. Afërmendsh që artikuluesit e idesë e kanë të qartë se me ndryshimet që iu bënë Kushtetutës në Kuvend, nga bashkimi i votave të PS dhe PD në prill të vitit 2008, zgjedhja e Presidentit bëhet me 71 vota, pra me maxhorancë të thjeshtë. Janë pikërisht këta zëra “vjedhacakë”, të cilët në mos nuk janë të nxitur, minimalisht nuk janë të përgënjeshtruar nga lidershipi i PS, që po shfaqin synimin e vërtetë të kushtëzimit të dialogut pozitë-opozitë me pazare klanore në kurriz të Kushtetutës. Synohet që PS gjoja të sakrifikojë për t’u ulur në tryezën e negociatave politike dhe më pas të pranojë zgjidhjen e kësaj krize, duke kërkuar të grabisë pushtete të pavarura kushtetuese. Posti i Presidentit, fjala vjen zgjidhet në mënyrë shumë të qartë pas amendimeve që ka bërë PS-ja në Kushtetutën e miratuar në 1998, që sanksiononte zgjedhjen e Presidentit me 84 vota, ndërsa në prill të vitit 2008 u vendos që Presidenti të zgjidhej me shumicë të thjeshtë me 71 vota. Kjo do të thotë që çdo maxhorancë që ka 71 vota, mund ta zgjedhë Presidentin. Të dyja partitë kryesore që përbëjnë sot maxhorancën e Qeverisë, PD dhe LSI, janë shprehur disa herë pro dialogut me opozitën, në mënyrë që të gjenden rrugëzgjidhje kushtetuese, që opozita të bëhet pjesë e reformave dhe proceseve integruese, në interes të gjithë shqiptarëve. Por, mesa duket Rama kërkon të tjera garanci. Vë të tjerët që të kërkojnë për opozitën Presidentin, SHISH-in apo Kryeprokurorin, por në fakt hallin e ka gjetkë. Zgjedhjet vendore nuk janë larg dhe kreu aktual i Bashkisë, duke parë kuotat tepër të ulëta të partisë që drejton dhe një grindje të hapur me pjesën më socialiste të partisë, ndjen frikën e humbjes së Bashkisë së Tiranës, bastionit klientelist nga ku kanë buruar edhe pushtetet e tjera të tij.   Kriza e qëllimshme “vizionare” Menjëherë pas përfundimit të procesit zgjedhor, vetë kreu aktual i PS në ditët e para pas zgjedhjeve të 28 qershorit, u prononcua në favor të procesit të rregullt. Ky ishte qëndrimi që u artikulua nga selia e PS, ende pa u marrë vesh mirë rezultati zgjedhor. Në ditët që pasuan, menjëherë pas rezultateve të para zyrtare, që gjithsesi zgjatën për të dalë, erdhi një qëndrim krejtësisht i ndryshëm. Kreu i PS, sapo u qartësua për humbjen e zgjedhjeve të 28 qershorit, deklaroi se nuk i njeh zgjedhjet. I mësuar të lëvizë dhe të përfitojë më shumë në qerthuj të intrigës politike sesa me aksion politik të fortë dhe alternativ-programor, Rama e dinte fare mirë se e priste një betejë e fortë për të mbajtur kreun e PS, ndërkohë që deri në ditën e fundit para zgjedhjeve ishte shprehur se si politikan modern dhe përfaqësues i politikës së re, do të jepte menjëherë dorëheqjen, në rast humbje të betejës së 28 qershorit. Madje që herët, në mbledhjen e parë të asamblesë pas zgjedhjeve, ideja e bojkotit u kundërshtua me forcë nga lidershipi socialist. Por, për të mbajtur me çdo kusht postin e Kryetarit, i ndihmuar edhe nga klani klientelist që mban afër, filloi orvatjet me shpresën që duke mos pranuar rezultatin, nuk do të pranonte as humbjen e tij personale, sepse fushata e PS u ngrit mbi kultin thellësisht personal të Edi Ramës. Retrospektiva është e qartë, Rama mblodhi kongresin, nuk zbatoi parimin statutor, një anëtar-një votë, dhe deklaroi ashpër se nuk do të njohë zgjedhjet, duke fituar sërish kurorën e kryetarit të PS me shumicë unanime të delegatëve.      Pas rikurorëzimit në krye të PS, duke ja bërë të pamundur konkurrencën alternativave të tjera përballë tij, Rama filloi të mendojë më larg se PS. Në radhë të parë ai distancoi grupin kundërshtar të tij brenda partisë, duke ofruar personazhe të politikës eksta të djathtë, apo disa zëra të hollë dhe histerikë, të gatshëm për të linçuar cilindo që del kundër kryetarit dhe interesave të tij. E gjithë kjo në funksion të një qëllimi, kthimin e partisë në një Organizatë jo qeveritare, ku gjithçka deri në detaje të kontrollohet nga vetë drejtuesi momental i projektit të radhës. Në këtë frymë, ai instaloi një fiksim të tijin, për hapjen e kutive të votimit, një kërkesë absurde, pasi të gjithë komisionerët e PS në mbarë Shqipërinë kishin firmosur proces-verbalet, por dhe në kundërshtim me shtetin ligjor, pasi të gjithë hallkat e gjykimit kushtetues e kishin dhënë verdiktin e tyre. Për më tepër, kur vetë drejtuesi i PS kishte garantuar të gjithë socialistët se asnjë votë nuk do të preket, në një kohë kur vetë ai ishte bashkëhartues me PD të çdo hallke ligjore të administrimit të procesit.    Por, natyrisht yshtja dhe urrejtja ndaj koalicionit qeverisës, në radhë të parë dhe kuotat tepër të ulëta të PS-së nën drejtimin e tij, bënë që Rama të niste sërish “ciklin e telenovelave” të intrigave politike, duke synuar pazarin dhe jo dialogun e shëndoshë pozitë-opozitë. Rama duket se tashmë ka frikë nga rruga ku e ka futur partinë më të madhe në opozitë, ndaj dhe nuk pranon dialog pa kushte. Jo dhe aq për faktin se i intereson dialogu për t’i dhënë fund rrugës absurde të bojkotit, por sepse duke ndjekur këtë “rrugë”, ai rrezikon të dalë përfundimisht në rrugë edhe nga Bashkia e Tiranës. Dhe të gjithë e dinë se dikur (në kohën që Rama ende nuk ishte pranuar anëtar i PS, por sipas tij kishte vetëm lidhje fisnore me socialistët) Bashkia e Tiranës ishte e para. Të tjerat erdhën pas. Për ironi të fatit, Rama është sot më shumë se kurrë, afër humbjes së bastionit të parë, Bashkisë së Tiranës. Të tjerat do të vijnë pas…

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›