E Diel, 1 Nëntor 2026

PS denoncon Topallin në Strasburg, KiE pezullon delegacionin shqiptar në Asamble

 Aristir LumeziPartia Socialiste i ka kërkuar Asamblesë Parlamentare të KiE-së në Strasburg sfidimin e kredencialeve të delegacionit shqiptar. Përmes një letre drejtuar kryetarit të grupit socialist, Andreas Gross në Asamblenë Parlamentare të KE, PS ka denoncuar faktin se në kompozimin e delegacionit shqiptar në këtë Asamble është shkelur statuti i saj, por dhe nenet bazë që përcaktojnë se si ngrihet ai. Selia rozë, bazuar në rregullat bazë parlamentare, shprehet se delegacioni shqiptar ka cenuar përfaqësimin e balancuar politik të Parlamentit shqiptar. Socialistët shprehen në letrën e tyre se në këtë delegacion duhet të marrin pjesë në mënyrë të barabartë dy grupimet politike në Parlament, ku PS dhe PD kanë numra shumë të afërt mes tyre. Për këtë ata kërkojnë të respektohen si nenet e statutit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, ashtu dhe nenet 6 dhe 7 të Rregullores së Parlamentit shqiptar. Kryetarja e Parlamentit ka shkelur sipas socialistëve pikën e Rregullores që përcakton konsultimin për përbërjen e delegacionit të parlamentit shqiptar me kryetarët e grupeve parlamentare, por dhe miratimin e përbërjes së tij në seancë plenare. Në letër thuhet se asnjë nga këto procedura të domosdoshme parlamentare nuk është zbatuar.  ReagimiPartia Socialiste e cilësoi vendimin e djeshëm të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës si leksion demokracie. Sekretarja për Marrëdhënie me Jashtë në PS, deputetja Arta Dade tha dje se me veprimet e fundit, Kryeparlamentarja po dëmton imazhin e vendit. “Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës edhe njëherë na jep leksione demokracie për maxhorancën shqiptare. Në demokraci politikat me inat dhe politikat e diversionit nuk ka sesi të funksionojnë. Përkundrazi ato dëmtojnë imazhin e vendit dhe znj. Topalli më se njëherë e ka kryer këtë detyrë më së miri, duke dëmtuar imazhin e vendit”, u shpreh Dade. Sekretarja socialiste e cilësoi procedurën e ndjekur nga Kryetarja e Kuvendit në krijimin e delegacionit të parlamentit shqiptar në Asamblenë parlamentare të KiE-së si diversion ndaj opozitës. “Zonja Topalli i është kthyer politikave të diversionit me opozitën, duke shkelur njëherazi rregulloren, jo vetëm të Parlamentit të Shqipërisë, por edhe rregulloret e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Konstatimi sipas medias se delegacioni shqiptar nuk përfaqëson vlerat e Evropës është një mësim tjetër që maxhoranca duhet ta marrë”, u shpreh Dade. Delegacioni i përhershëm i Parlamentit shqiptar në Asamblenë parlamentare të Këshillit të Evropës, prej katër anëtarësh u paraqit dje në Strasburg vetëm me dy anëtarët e djathtë, Ilir Rusmali dhe Lajla Pernaska, ndërsa vendi i anëtarit socialist është lënë i lirë deri në bërjen e betimit nga ana e deputetëve socialistë në Parlamentin shqiptar. Shpëtim Idrizi ishte caktuar si përfaqësues i PDU-së, e cila ka në parlament dy deputetë, vend që në delegacionin e kaluar mbahej nga Paskal Milo, i PDS-së. Socialistët kërkuan një përfaqësim më të mirë të tyre në këtë delegacion, por dhe ndjekjen e të gjitha procedurave parlamentare për lajmërimin dhe miratimin e këtij delegacioni. Sekretarja socialiste e konsideroi këtë shkelje një arsye më shumë që opozita të vazhdojë protestat e saj. “Për këtë arsye, ne do të vazhdojmë protestat në mbrojtje të demokracisë, në mbrojtje të vlerave evropiane që shqiptarët aspirojnë”, u shpreh sekretarja socialiste. Për zyrtaren e lartë të PS-së, procedura e ndjekur nga Kryeparlamentarja bie ndesh dhe me sugjerimet e faktorit ndërkombëtar që kërkojnë zgjidhjen e krizës politike në vend. “Ajo çka zonja Topalli ka bërë ditët e fundit, bie ndesh me sugjerimet që vijnë nga partnerët ndërkombëtarë prestigjiozë, të cilët i bëjnë thirrje politikës shqiptare që të zgjidhin krizën funksionale, politike dhe institucionale përmes dialogut. Ajo çfarë ka ndodhur sot në Strasburg, përveçse i përkeqëson gjërat, nuk sjell asgjë në dobi të zgjidhjes së krizës”, u shpreh Dade.Topalli: Kërkesa e PS në Strasburg, dashakeqësi ndaj ShqipërisëKryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli e cilëson dashakeqëse letrën e dërguar nga Partia Socialiste në të cilën i kërkohej Asamblesë së KE-së ngrirjen e kredencialeve. Zëdhënësja e kryeparlamentares, Suela Ruseti, dje pasdite në një deklaratë për median tha se “kërkesa e Partisë Socialiste për të sfiduar kredencialet e delegacionit parlamentar në Këshillin e Evropës është përpjekje dashakeqe ndaj vendit”. “Rregullorja e Kuvendit të Shqipërisë për delegacionet parlamentare është zbatuar pikë për pikë. Partia Socialiste në delegacionin e Asamblesë së Këshillit të Evropës ka pasur vetëm një anëtar dhe ky është zoti Kastriot Islami. Deri në momentin e verifikimit të kredencialeve, zoti Kastriot Islami ka të drejtë të ushtrojë të gjitha atributet si pjesëtar i Delegacionit të Asamblesë së Këshillit të Evropës”, tha Ruseti. Sipas saj, “nga Asambleja e KE-së, zoti Islami është Reporter për Gjeorgjinë. Lidhur me këtë, nuk ka pasur asnjë tendencë për të ndërhyrë në punët e askujt”. “Kërkesa e Partisë Socialiste është false dhe e pabazuar edhe për faktin se, nëse në Legjislaturën e kaluar Partia Socialiste kishte një vend si anëtar dhe një vend si zëvendësues, kësaj radhe, asaj i është lënë vendi i anëtarit dhe dy vende si zëvendësues”, thekson Ruseti. Për zëdhënësen, Kuvendi ka zbatuar me përpikëri  Rregulloren e Kuvendit. “Atyre që shohin me kënaqësi sfidën e kredencialeve, u bëjmë të ditur se procedurialisht është shfrytëzuar e drejta e Rregullores, që kur dikush ngre çështje për verifikim mandatesh, kjo kalon automatikisht në Komisionin e Rregullores. Kuvendi ka zbatuar ligjin dhe Rregulloren dhe mandatet e deputetëve të Delegacionit Shqiptar në Asamblenë e KE-së janë krejtësisht legjitime”, thekson Ruseti. Kuvendi në seancën e 10 dhjetorit miratoi përbërjen e delegacioneve në një seancë, duke mos përfshirë emrat e opozitës, por vetëm ato të maxhorancës. Kështu u përcaktua kryetar i delegacionit Ilir Rusmali, ndërsa anëtarë të maxhorancës Lajlja Përnaska dhe Arenca Trashani. Ndërsa në listën e dërguar në Strasburg figuron emri i deputetit të PDU-së, Shpëtim Idrizi, si përfaqësues i opozitës. Si anëtar zëvendësues janë përcaktuar emrat e Kastriot Islami si të PS-së, Mesila Dodës dhe të Arenca Trashanit.Kreu i partisë çame sqaron vendin e tij në delegacionIdrizi: I kërkuam zonjës Topallit që PDU të përfaqësohej në delegacion“Nuk shkova në Strasburg për arsye personale”. Kryetari i PDU-së, Shpëtim Idrizi tha dje se “mungesa e tij në delegacionin shqiptar, që ndodhet në Strasburg, lidhet me arsye personale të tij. Deputeti i Partisë çame në Kuvendin e Shqipërisë sqaroi vendin e tij në delegacionin e parlamentit shqiptar në Asamblenë Parlamentare të KiE-së. Idrizi tha se i ka kërkuar Kryetares së Kuvendit që PDU, një parti me dy deputetë në Kuvendin e Shqipërisë, të përfaqësohet në këtë delegacion. Duket se kjo kërkesë ka ardhur si analogji e pjesëmarrjes së Paskal Milos në delegacionin e kaluar të parlamentit shqiptar, kur PDS, një parti me dy deputetë, Paskal Milo dhe Hamit Kosta, kishte përfaqësuesin e vet në këtë delegacion. Duket se çështja çame ka qenë një nga arsyet pse kryeparlamentarja Topalli ka vendosur të caktojë përfaqësuesin e kësaj partie në delegacionin e Parlamentit shqiptar në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Kjo çështje është marrë seriozisht nga komuniteti çam në Shqipëri, i cili i organizuar në dy parti, pritet të lobojë në të gjitha institucionet evropiane dhe atyre të së drejtës për të rimarrë të drejtat e humbura në vite. Por socialistët nga ana e tyre, nuk kanë kundërshtuar përfaqësimin e Idrizit në këtë delegacion, por i kërkojnë kryeparlamentares që deputeti çam të mos trajtohet si përfaqësues i opozitës, por si deputet i maxhorancës. Socialistët thanë dje se Idrizi ka bashkuar votën e tij me maxhorancën në votimin e buxhetit të vitit 2010. KiE pezullon kredencialet e ShqipërisëADI SHKEMBIAsambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës ngrin të drejtën e votës së delegacionit shqiptar deri të enjten. Në seancën e parë të këtij viti, përfaqësuesit e asamblesë kanë votuar pro një propozim të kryetarit të grupit socialist të Këshillit të Evropës, Andreas Gross nga Zvicra, i cili ka hedhur dyshime për përbërjen e delegacionit shqiptar. Duke marrë fjalën në pikën tre të rendit të ditës, që kishte të bënte me verifikimin e kredencialeve, anëtari i majtë tha se “në emër të Partisë Socialiste dua që të vë në dyshim kredencialet e delegacionit shqiptar. Ne kemi informacion të mjaftueshëm të themi që propozimet për këtë delegacion nuk përfaqësojnë përfaqësimin politik të parlamentit sipas rregullave të Këshillit të Evropës, çka vë në dyshim procedurat e mëtejshme të akreditimit të delegacionit”. Pas tij ndërhyri Presidenti i sapo zgjedhur i Asamblesë Parlamentare Mevlut çavusoglu, nga Turqia, i cili theksoi se Kredencialet e delegacionit shqiptar do të verifikohen pa debat në Komitetin e Ligjeve, Procedurave dhe Imuniteteve. Komiteti i Ligjeve pritet të mblidhet gjatë ditës së sotme, ku do të diskutojë për përbërjen e delegacionit shqiptar dhe në përfundim të diskutimit do të hartojë një raport, i cili do t’i paraqitet Asamblesë Parlamentare të enjten. çështja e përfaqësisë shqiptare u rikthye dje sërish në seancën e asamblesë në pikën 10 të rendit të ditës, ku do të miratohej axhenda për ditët e ardhshme të punimeve. “Byroja propozon që raporti që do të vijë nga Komiteti i Ligjeve, Procedurave dhe Imuniteteve për delegacionin shqiptar dhe armen do të debatohet në seancën e ditës së enjte si çështje e parë”, u shpreh Presidenti i Asamblesë, i cili pasi pyeti anëtarët nëse ishin dakord me axhendën, e hodhi për votim dhe u miratua.DelegacioniNë mëngjesin e ditës së djeshme delegacioni shqiptar është paraqitur në mbledhjen e parë të Asamblesë Parlamentare të KiE-së. Në përbërje të tij kanë qenë deputetët e Partisë Demokratike, Ilir Rusmali, Lajla Përnaska, të cilët janë anëtarë të përhershëm dhe Arenca Trashani e Mesila Doda si anëtarë zëvendësues. Pjesë e delegacionit nuk ishin Kastriot Islami i Partisë Socialiste dhe Shpëtim Idrizi i Partisë për Drejtësi dhe Unitet. Në ndryshim nga delegacioni i një viti më parë, bie në sy zëvendësimi i Paskal Milos me kreun e PDU-së, ndërkohë që në radhët e anëtarëve zëvendësues Taulant Dedja, ish deputeti i PS-së, i ka lënë vendin Mesila Dodës. Burime pranë delegacionit shqiptar bënë të ditur për gazetën se gjatë gjithë ditës së djeshme kryetarja e Kuvendit ka qenë në kontakt me përfaqësues të Asamblesë Parlamentare, ku ka dërguar një tjetër letër për të sqaruar se Islami dhe Idrizi janë përfaqësues të opozitës. Ndërkohë ish kreu i delegacionit shqiptar në KiE një vit më parë, Aleksandër Biberaj vlerëson se ngritja e kredencialeve të Shqipërisë dëmton imazhin e vendit. “Ky është dëmtim i rëndë i imazhit të Shqipërisë. Kjo ndodh për herë të dytë brenda harkut kohor të një viti. Do të thosha është antireklama më e mirë për Shqipërinë, nga ata që kemi zgjedhur për të drejtuar këtë vend”, tha ish deputeti i PD-së. Sipas tij në bazë të rregullores delegacionet duhet të kenë pasur parasysh balancat politike. “është e njëjta situatë si vitin e kaluar kur, përbërja e delegacionit nuk u diskutua as në Konferencën e Kryetarëve e as nuk është miratuar në Kuvend. Në raport me Strasburgun, ato shohin balancën pozitë-opozitë dhe ato kanë vënë re se në këtë pikë Shqipëria nuk ka zbatuar këtë rregull. Vendimmarrja politike gjithmonë ka parasysh dhe situatën politike në një vend të caktuar. Unë do të uroja që Asambleja gjatë kësaj jave të intensifikonte kredencialet e delegacionit shqiptar në mënyrë që Shqipëria të jetë në njëfarë mënyre pjesë e vendimmarrjes së Këshillit të Evropës” -tha Biberaj.Seanca e AsamblesëPika 3 e rendit të ditësVerifikimi i kredencialeveAndreas Gross (anëtar i Asamblesë Parlamentare të KiE): Në emër të partisë socialiste dua që të vë në dyshim kredencialet e delegacionit shqiptar. Ne kemi informacion të mjaftueshëm të themi që propozimet për këtë delegacion nuk përfaqësojnë përfaqësimin politik të parlamentit sipas rregullave të Këshillit të Evropës, çka vë në dyshim procedurat e mëtejshme të akreditimit të delegacionit. Presidenti i Asamblesë Mevlut çavusoglu: Kredencialet e delegacionit shqiptar do të verifikohen pa debat në Komitetin e Ligjeve, Procedurave dhe Imuniteteve. Pika 10 e rendit të ditësMiratimi i axhendësPresidenti i Asamblesë Mevlut çavusoglu - Byroja propozon që raporti që do të vijë nga Komiteti i Ligjeve, Procedurave dhe Imuniteteve për delegacionin shqiptar dhe armen do të debatohet në seancën e ditës së enjte si çështje e parë. Jeni dakord me draft-axhendën?Jeni dakord. Bushati: Provokim i Topallit, vendimi i KiE për t’u përshëndeturDeputeti socialist Ditmir Bushati tha dje se veprimi i Kryeparlamentares Topalli për kompozimin e delegacionit shqiptar në Asamblenë e Këshillit të Evropës, është provokativ. “është e papranueshme që një vend anëtar i KE-së, që prej 1995, t’i lejojë vetes një veprim të tillë provokativ, i cili është në vazhdën e veprimeve të ndërmarra nga maxhoranca, me synim mbylljen me çdo kusht e çdo çmim të kapitullit të zgjedhjeve të 28 qershorit 2009, në kurriz të imazhit të vetë Shqipërisë. Të mos harrojmë që pezullimi i kredencialeve të delegacionit shqiptar në KiE vjen në një kohë që do të diskutohet projekt-rezoluta e përgatitur nga reporterët e KiE-së, ku ofrohen disa rekomandime konkrete për të zgjidhur krizën politike dhe institucionale që ka pllakosur vendin”, u shpreh Bushati. Deputeti socialist përshëndeti vendimin e djeshëm të Asamblesë Parlamentare të KiE-së, duke e cilësuar atë si rregullim të një padrejtësie të bërë. “Vendimi i Asamblesë Parlamentare të KiE, për të pezulluar të drejtën e votës për Shqipërinë, për shkak se “delegacioni shqiptar nuk është në përputhje me vlerat evropiane”, është për t’u përshëndetur pasi synon të verë në vend një padrejtësi të orkestruar nga maxhoranca, e cila në mënyrë arbitrare ka “rrëmbyer” përfaqësimin e opozitës në këtë forum të rëndësishëm, duke demonstruar në mënyrë profane mungesën e pjekurisë politike që duhet të karakterizojë maxhorancën qeverisëse të një vendi anëtar të Këshillit të Evropës, sikurse është Shqipëria”, tha Bushati.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›