Montobio: Vendimi për vizat në maj, bojkoti i PS ngadalëson integrimin
Muaji shkurt do të jetë vendimtar për Shqipërinë për procesin e liberalizimit të vizave me Bashkimin Evropian. Kështu deklaroi Ambasadori i Spanjës, të vendit që ka Presidencën e radhës së BE-së, Manuel Montobio. Diplomati spanjoll ka shpallur dje prioritetet e Presidencës së BE-së, duke theksuar se ndër to është procesi i liberalizimit të vizave me dy shtetet e Ballkanit Perëndimor, Shqipëria dhe Bosnja-Hercegovina. Por kjo, sipas tij, do të varet dhe nga mënyra se si Shqipëria zbaton udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave. Montobio nënvizoi rëndësinë e zbatimit të Marrëveshjeve të Stabilizim-Asociimit nga ana e vendeve të Ballkanit Perëndimor si Shqipëria, Mali i Zi, Serbia dhe Bosnjë-Hercegovina. Në këtë muaj pritet të vijë grupi i ekspertëve të KE-së, në të cilën do të bëhet vlerësimi mbi progresin e arritur mbi kërkesat e udhërrëfyesit të KE-së mbi liberalizimin e vizave. Duke iu referuar Shqipërisë, ai tha se "takimi në Bruksel, më 10 maj të këtij viti i Këshillit BE- Shqipëri, lidhur me zbatimin e kësaj marrëveshjeje përbën një ngjarje kyçe për ecurinë e mëtejshme të procesit të integrimit evropian". Ndërsa një ngjarje kyçe gjatë Presidencës së BE-së nga Spanja është edhe dorëzimi i pyetësorit. "Vendi juaj tashmë ka prezantuar kërkesën për statusin e vendit kandidat. Por çelësi i procesit integrues është që Shqipëria duhet të përmbushë rekomandimet e progres-raportit të KE-së dhe po u arritën këto çdo gjë do vijë në mënyrë të natyrshme. Përmbushja e standardeve për liberalizimin e vizave është një tjetër kriter shumë i rëndësishëm, sikundër dhe përgjigjet e pyetësorit, afati i dorëzimit është data 31 mars", tha Montobio. Klima politika në Shqipëri, raportet ndërmjet maxhorancës dhe opozitës, do të ndikojnë në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Ambasadori spanjoll Montabino përsëriti qëndrimin e njohur të BE lidhur me bojkotin e Parlamentit nga ana e opozitës. "Në demokracitë e konsoliduara, jeta parlamentare zhvillohet në Parlament. Ky është një pozicion shumë i qartë i BE. çdo ide e ndryshme politike duhet të mbrohet në Parlament. Mospjesëmarrja e opozitës së majtë në Parlament mund të ndikojë në ngadalësimin e procesit të integrimit evropian të Shqipërisë, pasi BE ka axhendën e vet për të përmbushur", deklaroi ambasadori spanjoll. Ndërsa gjatë presidencës spanjolle është edhe takimi i ministrave të Jashtëm të BE-së me ata të vendeve të Ballkanit Perëndimor.