E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Hetim parlamentar, pa hapur kutitë

Kryeministri Berisha paraqiti qëndrimin gjatë takimit me Ministrin e Jashtëm të Sllovakisë

TIRANË - Kryeministri Sali Berisha edhe pse në dukje i ka shtrirë dorën e bashkëpunimit opozitës, duke u treguar i gatshëm për ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar, ai nuk pranon kërkesën themelore të saj, që është hapja e kutive të votimit. Një qëndrim të tillë, kreu i qeverisë e shprehu gjatë takimit që zhvilloi me ministrin e Jashtëm të Sllovakisë.

Sipas Berishës, mazhoranca është e hapur për të ngritur komision parlamentar, por jo për çështjet që bien në kundërshtim me vendimet, që gjykatat kanë dhënë për zgjedhjet e Qershorit. "Në takim u diskutua gjithashtu edhe mbi bojkotin e opozitës.

Kryeministri Berisha i bëri me dije ministrit Lajcak gatishmërinë e mazhorancës për ngritjen e komisionit parlamentar për shqyrtimin e shqetësimeve të ngritura nga opozita, me përjashtim të çështjeve të vendosura tashmë me vendim të formës së prerë nga gjykata", - thuhet në njoftimin zyrtar të Kryeministrisë.

Ndërsa nga ana tjetër edhe ministri i Jashtëm sllovak, Miroslav Lajcak, ka theksuar se asnjë nuk e përkrah bojkotin, madje në asnjë rast politika nuk mund të ndërhyjë në vendimet e gjykatave. Sipas tij, përfundimet që ka nxjerrë OSBE-ODIHR për rezultatin e zgjedhjeve parlamentare duhet respektuar.

"Askush nuk e përkrah bojkotin dhe në asnjë rast, politika nuk mund të ndërhyjë për të vlerësuar vendimet e gjykatave. Konkluzionet e Institucioneve ndërkombëtare të specializuara për zgjedhjet si ato të OSBE/ODIHR, duhen respektuar plotësisht", - citohet në njoftimin për shtyp të Kryeministrisë.

Gjatë diskutimit të mëtejshëm midis Kryeministrit Berisha dhe ministrit të Jashtëm sllovak, Miroslav Lajcak, u vu në dukje iniciativa e dy vendeve për të zgjeruar marrëdhëniet e bashkëpunimit në fusha si energjetika, turizmi, infrastruktura, si dhe nxitjen e investitorëve sllovakë për të investuar në Shqipëri.

************************************************

Komisioni hetimor, sipas Dades, duhet të përfshijë hetimin e kutive bashkë me materialet zgjedhore

Dade: Bojkoti i opozitës, në dorë në Berishës

TIRANË- Deputetja e Partisë Socialiste, Arta Dade, deklaroi dje se fundi i bojkotit të opozitës kundrejt Parlamentit është në dorën e Kryeministrit Sali Berisha. Në një konferencë për shtyp, Dade theksoi se opozita kërkon që komisioni parlamentar hetimor të mos kushtëzohet nga objekti i hetimit.

"Bojkoti tashmë është në dorë të Sali Berishës. Kërkesa jonë është e thjeshtë: Shumicën në një komision hetimor parlamentar, të pakushtëzuar në objektin e hetimit, që përfshin hetimin e kutive së bashku me materialet zgjedhore, për të zbardhur të vërtetën e 28 Qershorit. Pa u garantuar e drejta e votës nuk mund të ketë demokraci në Shqipëri.

Dhe për të risjellë demokracinë në këtë vend, ne do të përdorim çdo rrugë demokratike, pa lënë dhe protestat dhe nuk do të pranojmë të bëhemi pjesë e dekorit në kutinë e mbyllur të parlamentit të Berishës dhe Topallit", - tha dje Dade.

Megjithatë, sipas Dades, me mënyrën sesi po vepron, Kryeministri i vendit, duke deklaruar se nuk i hap kutitë për shkak të vendimit të gjykatave, po tregon se nuk ka ndërmend t'i japë fund krizës politike. "Sali Berisha vazhdon të fshihet pas të pavërtetave me vendime gjykatash për të na treguar se nuk ka ndërmend të bëjë asgjë për t'i dhënë fund krizës së rëndë politike, ekonomike dhe sociale ku është zhytur vendi", - u shpreh ajo.

Sipas deputetes së selisë rozë, Partia Socialiste do të përdorë çdo mjet për të mos lejuar degradimin e shtetit në funksion të pushtetit. Ajo vuri në dukje se opozita nuk do të lejojë që institucionet e pavarura të jenë instrument i pushtetit ekzekutiv. "Derisa kjo e drejtë të rivendoset, Partia Socialiste do të përdorë çdo mjet dhe mënyrë demokratike për të mos lejuar degradimin e mëtejshëm të një shteti në shërbim të pushtetit.

Ne nuk mund të lejojmë që institucionet e pavarura të kthehen në instrumente të një kryeministri që qëndron në pushtet falë votave të vjedhura", - nënvizoi Dade. Ajo shtoi se Shqipëria është në krizë dhe nuk është bojkoti i opozitës që ka krijuar krizën, por kriza ka sjellë bojkotin

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›