E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Rama duhet të dialogojë me mazhorancën

Zv.kryeministri dhe Ministri i Jashtëm, Ilir Meta, deklaroi se Rama po kërkon të përmbysë pushtetin me dhunë

TIRANË - Pas deklaratave të kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama, se populli opozitar do ta vendosë transparencën e zgjedhjeve të 28 Qershorit përmes protestave, reaguan dje edhe eksponentët e mazhorancës qeverisëse.

Në një prononcim për mediat, zëvendëskryeministri dhe njëherësh ministri i Jashtëm, Ilir Meta, theksoi se deklaratat e Ramës janë alarmante, pasi, sipas tij, kreu i PS-së po kërkon përmbysjen e pushtetit me dhunë.

Ndryshe nga ajo që deklaroi Rama, Meta i ka dhënë konotacion tjetër frazës së liderit socialist, ndërkohë që Rama në një intervistë televizive u shpreh kështu: "Ku e vendosi demokracinë populli shqiptar në vitin 1990.

Demokracinë, populli shqiptar, e vendosi në rrugë dhe çdo populli, të cilit i mohohet liria dhe e drejta për të jetuar normalisht në demokraci e rivendos demokracinë përsëri në rrugë."

Por, sipas Metës, një frazë e tillë është shqetësuese, pasi, sipas tij, Rama nuk duhet të kërkojë përmbysjen e pushtetit dhe qeverisë me demonstrata, por të bashkëpunojë me mazhorancën për proceset integruese të vendit. Ai shtoi se një kërkesë të tillë e kanë bërë edhe partnerët evropianë dhe ata ndërkombëtarë.

"Deklaratat e djeshme të zotit Rama për përmbysjen e pushtetit me dhunë dhe përmbysjen edhe të kutive bashkë me qeverinë janë me të vërtetë alarmante për të kuptuar degradimin e politikës së partisë më të madhe të opozitës, e cila në një moment kur të gjithë shqiptarët presin dhe kërkojnë bashkëpunim për të shpejtuar ditën e liberalizimit të vizave, kur u kërkohet nga të gjithë shqiptarët, por edhe nga partnerët tanë evropianë dhe ndërkombëtarë që të përfshihen në procesin e përgjigjeve për Pyetësorin e Komisionit Evropian dhe procesin e përgatitjes të Shqipërisë për t'u anëtarësuar në Bashkimin Evropian, bëjnë thirrje për t'u kthyer në vitin '90, për të rrëzuar qeverinë dhe pushtetin me demonstrata dhe përmes rrugës", - tha dje Meta.

Për sa i përket ngritjes së komisionit parlamentar të zgjedhjeve të Qershorit, numri dy i qeverisë vuri në dukje se mazhoranca është e gatshme për ta krijuar këtë komision, madje duke i dhënë edhe shumicën opozitës, por kërkesa për hapjen e kutive të votimit është e parealizueshme.

"Mazhoranca, qeveria kanë bërë të qartë që janë të hapura për ta krijuar këtë komision, madje për t'i dhënë edhe shumicën në këtë komision opozitës, gjë që nuk është e zakonshme, sepse shumicës zakonisht i takon shumica, si një tregues i vullnetit të saj dhe tolerancës së saj në këtë drejtim", - u shpreh ai.

Këshilli Evropian nëpërmjet raportit të publikuar pak ditë më parë i kërkonte politikës shqiptare të zgjidhë krizën politike dhe të hetojë zgjedhjet e 28 Qershorit, por duket se përsëri as opozita, e as mazhoranca, nuk po lëshojnë nga kërkesat dhe qëndrimet e tyre fillestare.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›