Berisha: Historia e Shqipërisë t’i kthehet identitetit kombëtar
Në përvjetorin e themelimit të monarkisë shqiptare, Kryeministri Sali Berisha vlerëson Familjen Mbretërore, si mbajtëse dhe kultivuese të vlerave më të arrira të identitetit kombëtar të shqiptarëve, ndërkohë që u bën thirrje historianëve t’u kthehen arkivave e t’u thonë shqiptarëve historinë ashtu siç është, duke e çliruar kujtesën tonë kolektive nga mitet antikombëtare të diktaturës enveriste
Kryeministri, Sali Berisha, ripërsëriti dje thirrjen drejtuar historianëve të vendit që të hapin arkivat dhe t’u thonë shqiptarëve historinë ashtu siç është.
Gjatë një ekspozite me koleksione mbretërore, të Adamidi Frashërit, patriot dhe diplomat shqiptar, në kuadër të 83 vjetorit të monarkisë shqiptare, Berisha vlerësoi figurën e mbretit Zog dhe përpjekjet e tij për kombin dhe vendin, ndërsa kërkoi rishikimin e historisë, ashtu siç është, pasi sipas tij, “ajo mbetet ende larg të vërtetës”.
Kryeministri shprehu respektin dhe nderimin e tij, për familjen Adamidi, për këtë dhuratë, për këtë thesar të çmuar që i ka dhuruar Familjes Mbretërore Shqiptare, si mbajtëse dhe kultivuese e vlerave më të arrira të identitetit kombëtar të shqiptarëve.
Gjatë përshëndetjes së tij kryeministri tha se hapja e kësaj ekspozite në 83-vjetorin e Mbretërisë përbën një ngjarje të rëndësishme.
Për Kryeministrin Berisha, Mbretëria shqiptare ishte një nga faqet më të rëndësishme në historinë mijëra vjeçare të kombit shqiptar, ndërsa Ahmet Zogun e vlerësoi si “flamur mbajtësin kryesorë të kombit shqiptar”. “Në vitin 1912 etërit e pavarësisë së këtij vendi, pas përpjekjesh mbinjerëzore, do të ngrinin flamurin në Vlorë dhe së bashku me ta do të ishte aty edhe një përfaqësues i familjes kryesore të Matit, ndoshta ishte më i riu, dhe të paktë do të ishin ata që do të mendonin se vërtet ai nuk ngriti në Vlorë flamurin, por ai u shndërrua në flamur mbajtësin kryesor të kombit shqiptar. Ahmet Zogu, me përkushtimin e tij, atdhetarizmin e tij, trimërinë, guximin, intelektin ia doli të ndalojë një rrokullisje të madhe, të nxjerrë pavarësinë nga një jermi në mjegullnajat Ballkanike. Doli të vendosë flamurin shqiptar në atë territor sigurisht të gjymtuar, por pa të cilin kombi sot nuk do të ishte më. Ahmet Zogu dhe Mbretëria u përball me të gjitha armiqësitë, racizmat e egra antishqiptare rajonale dhe ndërkombëtare, por me një diplomaci të shkathët bëri gjithçka që të konsolidojë pozitën politike të shtetit të ri shqiptar. U përpoq të krijojë miqësira e lidhje në mënyrë që shteti shqiptar të konsolidohej. U angazhua në një ndërtim të suksesshëm të vendit duke iu përkushtuar dhe Mbretëria u shndërrua pa diskutim në një shtet në një monarki konstitucionale, në të cilin vendi po zhvillohej”, u shpreh midis të tjerave Kryeministri Sali Berisha.
Në përshëndetjen e tij, më pas Berisha vlerësoi kontributin e Familjes Mbretërore, edhe gjatë Luftës së Dytë Botërore. “Natyrisht, Shqipëria dhe Mbretëria Shqiptare ishte viktima e parë në Europën e Luftës së Dytë Botërore, por Kurora vazhdoi luftën e saj të vendosur. E vërteta është se mbështetësit e Mbretit, Zogistët, ishin linja më e kristaltë e luftës për çlirim të vërtetë kombëtar. Natyrisht siç ndodhi me vendet e tjera të Europës, Kurorat, e të cilave u transferuan përkohësisht në Londër, apo vende të tjera të lira dhe më pas shumica e tyre u rikthyen, kjo nuk ishte e mundur në Shqipëri. Një regjim më i paparë në Europën e pasluftës, një regjim i cili për karrigen e pushtetit u bazuar në luftën më të egër në eliminimin dhe zhdukjen e kundërshtarëve ndaloi rikthimin pa asnjë meritë të Mbretit Zog dhe Kurorës në Shqipëri. Kjo ishte, fatkeqësia e dytë më e madhe kombëtare pas pushtimit të vendit”.
Duke ju drejtuar historianëve, Kryeministri Sali Berisha u kërkoi atyre që të hapin arkivat dhe tu thonë shqiptarëve të vërtetat ashtu si janë. Sipas tij, historia duhet të flasë me të vërtetat si janë dhe kjo do ndihmojë shqiptarët të njohin më mirë veten e tyre, të jenë vetja dhe të shohin më qartë drejt të ardhmes. “Megjithatë Mbreti, oborri dhe mbështetësit e tij për 50 vite, vazhduan përpjekjet e tyre të gjithanshme për Shqipërinë, për Kosovën për kombin shqiptar në tërësi. Historia vazhdon të jetë një njerkë e keqe për shqiptarët dhe kësaj radhe e kam fjalën në vepra në shkrime, ajo nuk ju ka thënë shqiptarëve akoma të vërteta e tyre. Ajo sërish është e mbuluar me hirin toksik të regjimit diktatorial 45-vjeçar. Dhe njëherë unë ju bej thirrje historianëve të këtij vendi, të hapin arkivat dhe t’u thonë shqiptarëve të vërteta historike të tyre ashtu siç janë. Kombi sot është i lirë, por është shumë e rëndësishme të dije përpjekjen e madhe të burrave të tyre për të ndërtuar shtet në luftë kundër anti-shtetit, sepse duhet të jemi realist, Zogu u përball me përpjekje të pa ndershme të personaliteteve të ndryshme të asaj kohe, të cilët në mënyrën më absurde rrëzonin deri para vendosjes së Kurorës çdo javë nga një qeveri. Absolutisht që të gjitha për llogari të atyre fuqive që nuk donin ekzistencën e Shqipërisë. Historia duhet të flasë me të vërteta siç janë se kjo do t’i ndihmojë shqiptarët të njohin më mirë veten e tyre. Kjo do t’i ndihmojë ata të jenë vetja e tyre dhe të shohin më qartë drejt së ardhmes. Dhe njëherë dua t’ju përgëzoj për këtë ekspozitë këtë mënyrë dinjitoze që keni përzgjedhur ju për të nderuar 83-vjetorin e mbretërisë shqiptare kësaj ngjarje të madhe pa të cilën, nuk do të kishte pasur Shqipëri të pavarur, pa të cilën ekzistenca e një kombi mijëra vjeçar, do të ishte vënë në kërcënimin dhe rrezikun më të madh në historinë e tij”, përfundoi, kryeministri Sali Berisha.